Foto: VCG

Foto: VCG

Komanda e Zonës Lindore e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës ka përmbushur të gjitha detyrat në serinë e operacioneve të përbashkëta ushtarake të kryera kohët e fundit në ujërat dhe hapësirën ajrore rreth ishullit të Tajvanit, tha të mërkurën zëdhënësi i kësaj Komande Shi Yi.

Operacionet, që përfshinin trupa të shumë forcave, testuan në mënyrë efektive aftësinë e integruar luftarake të forcave të armatosura, tha Shi.

Sipas tij, Komanda do të ndjekë nga afër zhvillimin e situatës në brigjet e ngushticës së Tajvanit, do të vazhdojë të kryejë stërvitje ushtarake për përgatitje luftarake dhe do të organizojë patrulla të normalizuara sigurie të gatishmërisë luftarake në ngushticën e Tajvanit për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës.

Operacionet ushtarake rreth ishullit të Tajvanit filluan natën e 2 gushtit, kur Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, bëri një vizitë provokuese në rajonin e Tajvanit të Kinës, duke shpërfillur paralajmërimet e përsëritura të palës kineze. Vizita cenoi sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, shkeli parimin e "Një Kinë" dhe dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, ndikoi në themelin politik të marrëdhënieve kino-amerikane dhe minoi paqen e stabilitetin në ngushticën e Tajvanit.

Operacionet ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare Popullore rreth ishullit të Tajvanit ishin kundërmasa të drejta dhe të nevojshme për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial, tha të mërkurën Tan Kefei, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare.

Ato shërbyen gjithashtu si një mjet parandalues kundër bashkëpunimit të forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" me forcat e jashtme për të bërë provokime, vuri në dukje ai, duke shtuar se stërvitjet ishin të hapura, transparente e profesionale dhe zbatuan ligjet vendase e ndërkombëtare dhe praktikat ndërkombëtare.