Foto: VCG

Foto: VCG

Ditët e fundit, presidenti kinez Xi Jinping iu përgjigj një letre nga mësuesit dhe nxënësit e "Këndit të Kinës" të shkollës së mesme "St. Margaret" të Maltës, ku inkurajon më shumë adoleshentë maltezë të marrin pjesë aktivisht në shkëmbimet kulturore ndërmjet të dy vendeve.

Xi vuri në dukje se, me përpjekjet e Kinës dhe të Maltës, "Këndi i Kinës" i shkollës së mesme "St. Margaret" luan rol pozitiv për nxitjen e njohjes së Kinës nga adoleshentët e Maltës dhe për forcimin e miqësisë kinezo-malteze. Ai shprehu shpresën që "Këndi i Kinës" do të organizohet më mirë dhe mirëpriti më shumë nxënës dhe mësues të shkojnë në Kinë për shkëmbime.

Kreu i shtetit i Kinës tha se harmonia botërore është dëshira e kombit kinez për shoqërinë njerëzore qysh nga lashtësia, si edhe është burimi i kulturës së krijimit të bashkësisë së fateve të përbashkëta njerëzore. "Në botën tonë, historia dhe realiteti janë të ndërthurura, shpresat dhe sfidat bashkëjetojnë, dhe fatet e njerëzimit janë të lidhura ngushtësisht. Vetëm nëpërmjet ndihmës së ndërsjellë dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, njerëzimi mund të ndajë frytet e zhvillimit," u shpreh Xi. Për të zgjidhur problemet e zhvillimit global dhe për të përballuar sfidat e sigurisë globale, shtoi ai, Kina paraqiti nismën "Një brez, një rrugë", Nismën e Zhvillimit Global dhe Nismën e Sigurisë Globale, për të arritur unanimitet dhe për të mbledhur forcat e të gjithëve. Kina praktikon konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.

Xi theksoi se sivjet është 50-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Maltës. Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë bërë model i miqësisë së vendeve që kanë histori dhe kultura të ndryshme. Ai shprehu shpresën që më shumë adoleshentë do të marrin pjesë në shkëmbimet kulturore dhe do të bëhen nxitës të shkëmbimeve ndërmjet qytetërimeve dhe trashëgues të miqësisë ndërmjet popujve.

Shkolla e mesme"St. Margaret" është një shkollë e përgjithshme publike në Maltë. Në vitin 2010, me mbështetjen e Kinës aty u krijua “Këndi i Kinës”. Ditët e fundit, mësuesit dhe nxënësit e "Këndit të Kinës" të kësaj shkolle i dërguan një letër presidentit Xi Jinping, ku shprehin dashurinë e tyre për kulturën kineze, duke komentuar pozitivisht për konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe nismën "Një brez, një rrugë". Ata uruan gjithashtu për 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Maltës e Kinës dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të dhënë ndihmesën e tyre për të nxitur shtimin e shkëmbimeve kulturore të të dy vendeve. (Çang Çuo)