Foto: VCG

Foto: VCG

Lidhur me një shpjegim shtesë të vendosur pas frazës “parimi i ‘Një Kine’” në deklaratën e përbashkët ShBA-Australi-Japoni, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Wang Wenbin vuri në dukje në një konferencë të rregullt shtypi se vendosja nga disa vende e shtojcave para ose prapa frazës “parimi i ‘Një Kine” bëhet për ta zbrazur nga kuptimi këtë parim dhe është e paligjshme. Pala kineze e kundërshton këtë veprim.

Sipas njoftimeve, ShBA-ja, Australia dhe Japonia publikuan një deklaratë të përbashkët pas dialogut strategjik trepalësh, ku ritheksohet se qëndrimi i tyre për Tajvanin nuk ka ndryshuar, por njëkohësisht pas frazës “parimi i një Kine” është shtuar në kllapa "kur është e zbatueshme".

Wang Wenbin-i tha se parimi i “Një Kine” është konsensusi i përgjithshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe një normë bazë e njohur botërisht e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ky parim është edhe një pjesë integrale e rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore dhe është konfirmuar nga Rezoluta nr. 2758 e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke qenë gjithashtu baza politike për vendosjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe vendeve të tjera.

"Kuptimi i parimit të ‘Një Kine’ është i qartë, domethënë, në botë ekziston vetëm një Kinë, Tajvani është një pjesë e Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson mbarë Kinën. Zbatimi i parimit të ‘Një Kine’ është universal dhe i pakushtëzuar. Të gjitha vendet që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën dhe të gjitha vendet anëtare të OKB-së duhet të respektojnë pa kushte parimin e ‘Një Kine’ dhe Rezolutën 2758 të OKB-së. Disa vende bëjnë në fakt një interpretim të shtrembëruar të parimit të ‘Një Kine’ dhe po sfidojnë parimet bazë të së drejtës ndërkombëtare dhe normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, si edhe rendin ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore,” theksoi zëdhënësi i diplomacisë kineze.

Wang Wenbin i këshilloi disa vende që të lexojnë me kujdes historinë, të zbatojnë premtimet solemne që kanë bërë dhe të kenë një kuptim të thellë të rrezikut të shkeljes së besimit. Çdo përpjekje për të sfiduar parimin e “Një Kine”, sundimin ndërkombëtar të ligjit dhe rendin ndërkombëtar do të hasë në mënyrë të pashmangshme kundërshtimin e përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk do të ketë sukses, shtoi ai.