8 tetori i sivjetshëm është Dita e 14-të Kombëtare e Stërvitjes Fizike e Kinës. Ditët e fundit, Administrata e Përgjithshme e Sportit e Kinës deklaroi se do të nisë një sërë aktivitetesh tematike në përmasë kombëtare për të nxitur pjesëmarrjen e më shumë banorëve në stërvitje të rregullta fizike.

Foto:VCG

Foto:VCG

Në një reklamë në interes të publikut me këtë rast, figura të njohura sportive kineze, si kampionia e Lojërave Olimpike Dimërore Xu Mengtao, medalistja e artë e pingpongut Sun Yingsha etj., së bashku me banorë të thjeshtë, promovuan konceptin e stërvitjes fizike për publikun.

Siç mësohet, gjatë zhvillimit të fushatës në krahina të ndryshme të vendit do të zhvillohen mbi 4000 aktivitete, duke përfshirë shumë sporte që kanë popullaritet të madh në Kinë, si vrapimi, futbolli, basketbolli, badmintoni e tenisi, por edhe lojëra speciale që u përshtaten në veçanti adoleshentëve e të moshuarve, me qëllim që të realizohet pjesëmarrja e sa më shumë banorëve në mirëmbajtjen e shëndetit.

Gjatë përgatitjeve dhe zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, gati 300 milionë banorë kinezë ushtruan sporte të dëborës dhe akullit. Për të konsoliduar më tej këtë rezultat, do të mbahen në mbarë vendin seri veprimtarish me rastin e “Javës së sporteve të dëborës dhe akullit”.

Foto:VCG

Foto:VCG

Së pari, stadiumet dhe pallatet për sportet dimërore do të hapen falas ndaj publikut. Stadiumi i Kryeqytetit do të jetë i pari. Ndërkohë, “Karvani i sporteve të dëborës e akullit” do të zhvillojë edicionin e 100-të të promovimit të sporteve dimërore në mbi 30 qytete të vendit. Ky aktivitet, që synon promovimin e sporteve të dëborës e akullit, nisi në prag të organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit, duke u ofruar mbi 300 mijë banorë përvojën e ushtrimit të sporteve përkatëse dhe marrjen e njohurive për to.

Së treti, janë në zhvillim e sipër trajnimet në internet për sportet dimërore. Dashamirët e sporteve dimërore në mbarë vendin mund të stërviten sipas kërkesave të trajnimit të sportistëve profesionistë kombëtarë dhe të publikojnë rezultatet e tyre për të konkurruar në internet.

Përveç kësaj, ka edhe platformë për mësimdhënien përkatëse.

Për shkak të ndikimeve të epidemisë, aktivitetet e sivjetshme zhvillohen si në internet, ashtu edhe në terren. Ndër më shumë se 100 aktivitetet në internet, “Spartakiada Kombëtare” tërhoqi mbi 11 milionë përdorues.

Foto:VCG

Foto:VCG

Foto:VCG

Dita Kombëtare e Stërvitjes Fizike, që nisi në vitin 2009, ka nxitur në mënyrë të dukshme ndërgjegjësimin e banorëve të thjeshtë për marrjen me sporte e kalitje të ndryshme. Për shembull, me mbështetjen e qeverisë, tani në Kinë ka mbi 2.7 milionë instruktorë për stërvitjen fizike. Ndërkohë, një sërë masash po merren për të përmirësuar më tej punën në këtë drejtim.

Sipas z. Ding Dong, drejtor i Departamentit të Organizimit të Sporteve Masive pranë Administratës së Përgjithshme të Sportit të Kinës, në dekadën e fundit, qeveria qendrore dhe organet e pushtetit vendor kanë shtuar pandërprerë investimet për pasurimin e larmisë së instalimeve të stërvitjes fizike. “Deri në fund të vitit të kaluar, sipërfaqja mesatare e objekteve sportive për frymë arriti në 2.41 metra katrorë, shifër kjo 15.9 % më e lartë në krahasim me vitin 2019. Sipas kërkesave administrative, të gjitha stadiumet e pallatet sportive publike duhet të hapen falas ndaj banorëve, për të ofruar më shumë hapësirë për të plotësuar kërkesat e tyre për stërvitje,” tha Ding.