Foto nga VCG

Më 4 dhjetor të vitit 2015, presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim në Samitin e Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë në Johanesburg, ku sqaroi politikën e Kinës ndaj Afrikës dhe paraqiti propozimin për ngritjen e marrëdhënieve kino-afrikane në marrëdhënie bashkëpunimi dhe partneriteti të gjithanshëm strategjik.

Zv.drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Afrikës së Jugut Anil Sooklal u shpreh se ky samit ka rëndësi historike për bashkëpunimin kino-afrikan:

“Ky samit hapi epokën e re të bashkëpunimit dhe të zhvillimit me përfitime të përbashkëta ndërmjet Kinës e Afrikës. Bashkëpunimi kino-afrikan ka një histori të gjatë dhe tani ai është bërë më i ngushtë, sepse ne kemi përvojë të njëjtë në luftën kundër varfërisë.”

Në fjalimin e mbajtur në Samitin e Johanesburgut, presidenti kinez Xi Jinping u shpreh se Kina do të zbatojë dhjetë projekte bashkëpunimi me Afrikën për të çuar përpara marrëdhëniet e bashkëpunimit dhe të partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-afrikan. Lidhur me këtë, Anil Sooklal vuri në dukje se propozimi i presidentit Xi Jinping përputhet me drejtimin e zhvillimit të “Agjendës 2063” të Bashkimit Afrikan. “Dhjetë projektet e bashkëpunimit Kinë-Afikë të paraqitura nga presidenti Xi Jinping synojnë të zgjidhin të gjitha problemet që trajton ‘Agjenda 2063’, si për shembull industrializimi, modernizimi i bujqësisë, zhvillimi i gjelbër, bashkëpunimi në fushën e sigurisë e të shëndetësisë etj. Këto projekte kanë rëndësi të madhe për ne, duke pasur parasysh vështirësitë që na ka sjellë epidemia e COVID-19. Që në vitin 2015, Kina planifikoi të na ndihmojë në zhvillimin e sistemit shëndetësor afrikan.”

Afrika e Jugut është një vend ku po zbatohen shumë projekte në kuadër të bashkëpunimit kino-afrikan. Në vitin 2014, Grupi “FAW” i Kinës ngriti fabrikën e automjeteve në parkun industrial “Coega” në Kepin Lindor të Afrikës së Jugut. Punonjësit vendorë të fabrikës kanë marrë përfitime nga zhvillimi i ndërmarrjes. Jay Jay nga Kongo është një menaxher teknik në fabrikë. Sipas tij, bashkëpunimi Kinë-Afrikë i ka ndryshuar jetën:

“Unë u largova nga Kongo për t’u shmangur nga konflikti e lufta. Në këtë fabrikë në Afrikën e Jugut sigurova shumë mundësi dhe mësova mjaft. E falënderoj nga zemra ndërmarrjen kineze. Erdha këtu pa asgjë, kurse tani kam një familje, kam bashkëshorte dhe fëmijë të bukur. Jam shumë i lumtur.”

Jay Jay është një shembull ndër afrikanët që kanë përfituar nga bashkëpunimi kino-afrikan. Sipas statistikave, tani mbi 3500 kompani kineze kanë investuar në Afrikë. Krahas shtimit të vendeve të punës dhe të mundësive të arsimit, këto kompani kineze kanë nxitur gjithashtu zhvillimin shoqëror në kontinentin afrikan.

Nga “Dhjetë projektet e bashkëpunimit” të paraqitura në Samitin e Johanesburgut në vitin 2015, deri në “Tetë veprimet” e publikuara në Samitin e Pekinit të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë në vitin 2018, dhe në “Nëntë projektet” e shpallura në mbledhjen e 8-të ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë në vitin 2021, Kina ka promovuar vazhdimisht bashkëpunimin e saj me Afrikën në epokën e re. Deri tani Bashkimi Afrikan dhe 52 vende afrikane kanë nënshkruar me Kinën marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Nisma “Një brez, një rrugë” po ndërthuret me “Agjendën 2063” dhe me Agjendën e Zhvillimit të Vazhdueshëm 2030 të OKB-së, duke shënuar ndërthurjen e Ëndrrës Kineze me Ëndrrën Afrikane. (Fani/Artan)