Foto:VCG

Foto:VCG

“BOE Technology Group Co Ltd”, një furnizues kryesor kinez i ekraneve, po dyfishon segmentin e prodhimit inteligjent dhe do të rrisë investimet në teknologjitë novatore, pasi kompania synon të përdorë teknologjitë e fundit digjitale për të fuqizuar transformimin digjital të ndërmarrjeve tradicionale.

“BOE” ka krijuar 16 linja prodhimi automatike dhe inteligjente të ekranit gjysmëpërçues në të gjithë vendin, të cilat mund të mbledhin automatikisht të dhëna në procesin e prodhimit industrial dhe të formojnë modele inteligjente të analizës së të dhënave, duke ulur kështu në masë të madhe kostot operacionale duke përmirësuar efikasitetin, sipas Si Da, zëvendëspresident i “BOE”.

Fabrika e kompanisë në Fuzhou, provinca Fujian, e cila prodhon kryesisht panele super të mëdhenj të nivelit të lartë, është përfshirë në Rrjetin Global të Fareve të Forumit Ekonomik Botëror, një komunitet i përbërë nga prodhuesit kryesorë botërorë që përdorin teknologjitë e revolucionit të katërt industrial, si inteligjencën artificiale dhe informatikën “cloud”. “BOE” është kompania e parë dhe e vetme e llojit të saj nga pjesa kontinentale e Kinës, që është listuar si një “fabrikë fari”.

Liu Wenrui, zëvendëspresident i “BOE” dhe menaxher i përgjithshëm i fabrikës “BOE Fuzhou”, tha se ata kanë adaptuar teknologjitë digjitale dhe analitikë të avancuar në një sistem prodhimi plotësisht të automatizuar, me kostot e reduktuara me 34 për qind, ndërsa prodhimi i rritur me 33 për qind.

Bazuar në përvojën e pasur në kapacitetet inteligjente prodhuese, “BOE” ka krijuar një platformë industriale interneti, e cila ofron shërbime të transformimit digjital për 200 kompani në të gjithë vendin dhe i ndihmon ato të përmirësojnë produktivitetin me rreth 30 për qind, tha Si.

Sipas kompanisë, platforma pritet të rrisë nivelin inteligjent të prodhimit dhe digjitalizimit përgjatë segmenteve të sipërme dhe të poshtme të zinxhirëve industrialë.

Interneti industrial, një lloj i ri i automatizimit të prodhimit, që kombinon makina të avancuara, sensorë të lidhur me internetin dhe analiza të thella të të dhënave, do të rrisë produktivitetin dhe do të reduktojë kostot në prodhimin industrial.

Statistikat nga Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit treguan se Kina ka kultivuar 150 platforma interneti industriale në shkallë të gjerë, me më shumë se 78 milionë njësi të pajisjeve industriale të lidhura me platformat.

"Interneti industrial në lulëzim do të shohë një kërkesë në rritje për saktësi në marrjen e të dhënave, shpejtësinë e transmetimit, hapësirën e ruajtjes, kapacitetet kompjuterike dhe aplikimin inteligjent, duke nxitur kështu zhvillimin e infrastrukturës së të dhënave të mëdha dhe kompjuterit “cloud” dhe duke nxitur një grup kompanish industriale të internetit me konkurrencë globale",- tha Liu Xiangdong, studiues në Qendrën Kineze për Shkëmbimet Ekonomike Ndërkombëtare.

“Interneti industrial është bërë një motor i ri, që nxit rritjen e ekonomisë digjitale dhe ka shfaqur potencial të jashtëzakonshëm zhvillimi”,- shtoi Liu.

Për më tepër, “BOE” po investon fuqimisht në teknologjitë e ekranit gjysmëpërçues të gjeneratës së ardhshme, të tilla si diodat organike që lëshojnë dritë (OLED) dhe diodat mikro (mikro LED), të cilat kanë përmirësime të mëdha për sa i përket kontrastit të imazhit, shkëlqimit dhe spektrit të ngjyrave.

Sipas statistikave nga “Sigmaintell Consulting”, një firmë kërkimore tregu me qendër në Pekin, “BOE” kryesoi tregun vendas me dërgesa fleksibël të paneleve OLED prej rreth 60 milionë njësi në vitin 2021, duke u rritur gati 60 për qind nga viti në vit dhe duke u renditur i dyti në botë pas “Samsung”-ut të Koresë së Jugut.

Të ardhurat totale të “BOE” qëndruan në 219.3 miliardë juanë (32.5 miliardë dollarë) vitin e kaluar, 61.79 për qind më shumë nga viti në vit, ndërsa fitimi neto i saj u rrit me 413 për qind, në një rekord prej 25.8 miliardë juanë. Shpenzimet e saj për kërkimin dhe zhvillimin tejkaluan 10 miliardë juanë në vitin 2021.

Kina do të kapërcejë Korenë e Jugut, për t'u bërë prodhuesi më i madh i paneleve OLED deri në vitin 2024, pasi më shumë kompani kineze kanë investuar në linjat e reja të prodhimit OLED, tha Zhou Hua, analisti kryesor në “CINNO Research”, një firmë kineze konsulence për ekranet e sheshtë.

Li Yaqin, menaxher i përgjithshëm i “Sigmaintell”, tha se kërkesa për panele fleksibël OLED të përdorur në telefonat inteligjentë të palosshëm do të vazhdojë të rritet këtë vit, në bazë të aplikimit komercial të teknologjisë 5G dhe prodhuesit e ekraneve duhet të përmirësojnë më tej kapacitetet e tyre të normës së prodhimit dhe të ulin kostot e prodhimit.

Panelet fleksibël OLED do të fitojnë popullaritet në telefonat inteligjentë të rangut të mesëm, të cilët do të kenë një çmim prej më shumë se 2,500 juanë deri në vitin 2025, tha Li.