Foto:VCG

Foto:VCG

Foto:VCG

Foto:VCG

Ministritë e jashtme të shumë vendeve të botës, si Filipinet, Kirgizistani dhe Kazakistani, rideklaruan të enjten mbështetjen e tyre të vendosur për politikën e "Një Kine", pas vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës.

Departamenti i Punëve të Jashtme i Filipineve u shpreh në një deklaratë se Manila i kushton vëmendje rritjes së tensioneve në ngushticën e Tajvanit, duke ritheksuar zbatimin e politikës së "Një Kine" dhe duke njohur qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si qeverinë e vetme të ligjshme që përfaqëson tërë Kinën.

“Filipinet ndjekin politikën e 'Një Kine' dhe bëjnë thirrje për gjakftohtësi nga të gjitha palët përkatëse. Duhet të mbizotërojnë diplomacia dhe dialogu,” thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kirgizistanit konfirmoi të enjten mosndryshimin e pozicionit të vet mbi çështjen e Tajvanit dhe mbështetjen e politikën e "Një Kine". Kirgizistani shpreson që tensionet të zbuten sa më parë dhe të ruhen paqja e stabiliteti i qëndrueshëm në ngushticën e Tajvanit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kazakistanit, Aibek Smadiyarov, theksoi të enjten që “Kazakistani mbështet parimin e 'Një Kine' dhe e quan rajonin e Tajvanit një pjesë të pandashme të Kinës”.

Ai nënvizoi që Kazakistani i përmbahet ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së, veçanërisht rezolutës 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1971.

“Unë besoj që vizitat e delegacioneve zyrtare nga vendet e huaja në rajonin e Tajvanit duhet të koordinohen me qeverinë e Republikës Popullore të Kinës,” tha zëdhënësi Smadiyarov. (Jiang Lei)