Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres pohoi të mërkurën politikën e “Një Kine”, në sfondin kur vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në Tajvan ka krijuar tensione.

Në një konferencë shtypi mbi publikimin e një raporti të Grupit Global të Reagimit ndaj Krizave të OKB-së për krizën në Ukrainë, Guterres tha:

"Pozicioni ynë është shumë i qartë. Ne i përmbahemi rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme, politikës së ‘Një Kine’, dhe ky është orientimi që kemi në çdo gjë që bëjmë."

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi në vitin 1971 Rezolutën 2758, e cila rivendosi të drejtat e ligjshme të Republikës Popullore të Kinës (RPK) në Kombet e Bashkuara dhe njohu përfaqësuesit e qeverisë së RPK-së si përfaqësuesit e vetëm të ligjshëm të Kinës në Kombet e Bashkuara.