]

Zoran Spasic

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, vizitoi të martën Tajvanin, duke mos marrë parasysh kundërshtimin e fortë e Kinës. Para kësaj, Kina e kishte paralajmëruar vazhdimisht ShBA-në se këmbëngulja e Pelosit për të shkuar në Tajvan do të kishte pasoja të rënda.

Këtë herë e gjithë bota e ka parë qartë se kush është minuesja e paqes së rajonit të Azi-Paqësorit dhe të botës. Kjo ishte një vizitë që nuk duhej të ndodhte. Vizita e Pelosit në Tajvan jo vetëm do t'i tensionojë shumë marrëdhëniet kino-amerikane për herë të parë që nga Lufta e Koresë, por gjithashtu mund të çojë në pasoja më të rënda.

Vizita e Pelosit në Tajvan shkeli jo vetëm angazhimet e marra prej ShBA-së në tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, por edhe Rezolutën 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1971 mbi parimin e "Një Kine".

Para së gjithash, vizita e Pelosit në Tajvan nuk ishte një akt personal. Si figura nr. 3 e politikës amerikane, si mund ta vizitojë ajo privatisht Tajvanin? Ç'është më e rëndësishmja, ajo udhëtoi me një avion ushtarak amerikan.

Të gjitha kundërmasat e marra prej Kinës janë të ligjshme dhe të nevojshme. Ato do të jenë afatgjata, të vendosura e të qëndrueshme. Nga seria e operacioneve të përbashkëta ushtarake të kryera nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës rreth ishullit të Tajvanit, mund të shohim se përgjigjja e Kinës ka treguar forcë, strategji dhe mençuri.

Vizita e Pelosit në Tajvan jo vetëm që rrit tensionet rajonale, por gjithashtu sjell vetëm dëme. Stabiliteti i marrëdhënieve kino-amerikane është i lidhur me stabilitetin global. Procesi i rimëkëmbjes ekonomike globale, tashmë në vështirësi, ka të ngjarë të eklipsohet nga veprime të tilla jashtëzakonisht të këqija nga Shtetet e Bashkuara.

Rimëkëmbja ekonomike bazohet në paqen dhe stabilitetin, prandaj popujt presin paqen dhe sigurinë botërore, veçanërisht paqen dhe sigurinë në rajonin Azi-Paqësor, i cili është bërë thelbi i ekonomisë globale. Por pa dyshim, vizita e Pelosit në Tajvan e ka pështjelluar përsëri rimëkëmbjen e ekonomisë botërore.