FotoË VCG

FotoË VCG

Ambasadori kinez në ShBA, Qin Gang, kritikoi ashpër vizitën "e pamatur e provokuese" të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, në rajonin e Tajvanit të Kinës.

"Vizita e kryetares është një ngjarje e madhe që ngre nivelin e marrëdhënieve thelbësore ndërmjet ShBA-së e Tajvanit dhe u dërgon një sinjal shumë të gabuar forcave separatiste të 'pavarësisë së Tajvanit'," tha ambasadori në një intervistë për CNN-in të martën.

“Ajo (vizita) është një shkelje serioze e parimit të 'Një Kine' dhe e dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane. Ajo u jep një goditje të rëndë themeleve politike të marrëdhënieve kino-amerikane dhe cenon seriozisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. Ky është një veprim i pamatur e provokues”, u shpreh Qin. Më tej ai shtoi: "Vizita e saj (Pelosit), në çfarëdo forme, në çfarëdo kohe gjatë mandatit të saj, mbart ndjeshmëri të lartë politike dhe do të çojë në përshkallëzimin e tensioneve në ngushticën e Tajvanit dhe në marrëdhëniet amerikano-kineze. Kështu që ne e dënojmë fort e me vendosmëri dhe protestojnë ashpër kundër kësaj vizite”.

Qin Gang theksoi se çështja e Tajvanit nuk ka të bëjë me demokracinë, por me sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të Kinës.

"Është aspirata e më shumë se 1.4 miliardë kinezëve për të arritur ribashkimin e Kinës dhe është vullneti i palëkundur i të gjithë kombit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin tonë territorial," tha ai.

"Sovraniteti i Kinës nuk mund të cenohet, populli kinez nuk mund të poshtërohet dhe ribashkimi i Kinës nuk mund të ndalet," u shpreh ambasadori.

Çështja e Tajvanit ka të bëjë me interesat thelbësore të Kinës, theksoi Qin, duke shtuar: "Kina ka çdo të drejtë të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Ne jemi plotësisht të përligjur të bëjmë atë që duhet. Gjendja e tanishme është krijuar vetëm nga pala amerikane, kështu që sigurisht ajo duhet të mbajë përgjegjësi."