VCG

VCG

Bashkëpunimi i Tsai Ing-wen dhe autoriteteve të Partisë Demokratike Progresive (DPP) të Tajvanit me forcat e huaja për të kërkuar "pavarësinë", duke krijuar provokime, vetëm sa do të përshpejtojë shkatërrimin e tyre dhe do ta hedhë Tajvanin në humnerën e katastrofës, paralajmëroi të mërkurën zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Këshillit të Shtetit Ma Xiaoguang.

Duke komentuar për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës, Ma theksoi gjithashtu se askush nuk duhet ta nënvlerësojë vendosmërinë, vullnetin dhe aftësinë e madhe të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.

Ai i kritikoi Tsai-n dhe autoritetet e DPP-së për qëndrimin e tyre për një kohë të gjatë pro "pavarësisë së Tajvanit", mospranimin e Konsensusit të vitit 1992 që mishëron parimin e “Një Kine” dhe lëvizjet e qëllimshme për të krijuar kundërvënie përgjatë ngushticës së Tajvanit.

Duke komentuar dhënien e një të ashtuquajturi “urdhër” Pelosit nga Tsai, Ma tha se autoritetet e DPP-së do të paguajnë një çmim gjithnjë e më të madh dhe do të dështojnë nëse vazhdojnë të mbështeten te Shtetet e Bashkuara për të kërkuar "pavarësinë e Tajvanit".

Dhënia e "urdhrit" Pelosit ishte një "farsë politike", shtoi ai.

Ma kritikoi gjithashtu komentet e Tsai-t për të ashtuquajturin kërcënim ushtarak nga pjesa kontinentale dhe për "forcimin e aftësive vetëmbrojtëse". Ajo po ngatërron të bardhën me të zezën, duke i përshkruar "lëvizjet e drejta të ndërmarra nga ne për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit" si "kërcënim ushtarak", theksoi ai.

Zëdhënësi i paralajmëroi Tsai-n dhe autoritetet e DPP-së se mbështetja në forcën ushtarake për të kërkuar "pavarësinë e Tajvanit" vetëm se do të përshpejtojë fundin e tyre.