Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi bëri një vizitë të martën në Tajvan të Kinës, duke shpërfillur kundërshtimin e vendosur të Kinës. Ky veprim cenon rëndë parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, shkel rëndë normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, minon seriozisht themelin politik të marrëdhënieve kino-amerikane dhe dëmton seriozisht marrëdhëniet kino-amerikane, duke përbërë një provokim të madh politik ndaj Kinës. Komiteti Kombëtar i Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez e kundërshton dhe e dënon fuqishëm këtë veprim.

Ka vetëm një Kinë në botë, Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson të gjithë Kinën. Çështja e Tajvanit është një punë e brendshme e Kinës. Ne kundërshtojmë me vendosmëri të gjitha përpjekjet dhe veprimet për ta ndarë Kinën, kundërshtojmë me vendosmëri ndërhyrjen nga çdo forcë e huaj në procesin e ribashkimit paqësor të Kinës dhe nuk do të lejojmë kurrë asnjë vend të ndërhyjë në çështjen e Tajvanit në asnjë mënyrë. Kina duhet të bashkohet dhe do të bashkohet. Kjo është një prirje historike e pashmangshme. Askush nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e madhe, vullnetin e vendosur dhe aftësinë e fortë të popullit kinez për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial!

Çështja e Tajvanit është çështja thelbësore më e rëndësishme dhe më e ndjeshme në marrëdhëniet kino-amerikane. Administrata e tanishme amerikane ka marrë vazhdimisht angazhime për çështjen e Tajvanit, për t'iu përmbajtur politikës së “një Kine” dhe për të mos mbështetur "pavarësinë e Tajvanit", por disa fjalë dhe vepra të fundit të palës amerikane bien në kundërshtim me këtë. Ne i bëjmë thirrje ShBA-së të respektojë angazhimet e saj, të ndalojë çdo formë të shkëmbimeve zyrtare me rajonin e Tajvanit të Kinës, të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës, të mos dërgojë asnjë sinjal të gabuar për forcat separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe të mos shkojë më tej në rrugën e rrezikshme. Çdo veprim i gabuar që shkon kundër prirjes së historisë, përpjekjet për të dëmtuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës, do të dështojnë dhe do të kenë pasoja mbi ata që i kryejnë ato.