Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës
2022-08-03 00:52:49

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës bëri të martën një deklaratë për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të ShBA-së Nancy Pelosi në rajonin e Tajvanit të Kinës. Më poshtë është teksti i plotë i deklaratës:

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës/ VCG

Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës/ VCG

Më 2 gusht, pa marrë parasysh kundërshtimin e ashpër të Kinës, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të ShBA-së Nancy Pelosi arriti në rajonin e Tajvanit të Kinës për vizitë. Kjo është një shkelje serioze e parimit të “Një Kine” dhe e dispozitave të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, duke goditur rëndë bazën politike të marrëdhënieve Kinë-ShBA, duke shkelur rëndë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës, duke dëmtuar seriozisht paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit dhe duke u lëshuar forcave separatiste të “pavarësisë së Tajvanit” një sinjal shumë të gabuar. Kina e kundërshton me vendosmëri dhe e dënon rreptësisht këtë, dhe i ka paraqitur ShBA-së protestën e vet të ashpër.

Në botë ka vetëm një Kinë, Tajvani është pjesë e pandashme e territorit të Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson tërë Kinën. Kjo përcaktohet qartë në rezolutën nr. 2758 të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të vitit 1971. Që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949, 181 vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën në bazë të parimit të “Një Kine”, i cili është një konsensus i gjerë i bashkësisë ndërkombëtare dhe një normë themelore e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në vitin 1979, Shtetet e Bashkuara bënë premtimin e qartë në Komunikatën për Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike Kinë-ShBA: "ShBA-ja e njeh qeverinë e Republikës Popullore të Kinës si të vetmen qeveri të ligjshme të Kinës. Brenda këtij konteksti, populli amerikan do të mbajë marrëdhënie kulturore, tregtare dhe marrëdhënie të tjera jozyrtare me popullin e Tajvanit". Kongresi i ShBA-së, si pjesë e qeverisë amerikane, duhet të respektojë rreptësisht politikën e “Një Kine” të qeverisë amerikane dhe të mos zhvillojë asnjë shkëmbim zyrtar me rajonin e Tajvanit të Kinës. Kina i ka kundërshtuar gjithmonë vizitat e anëtarëve të Kongresit të ShBA-së në Tajvan dhe dega ekzekutive e ShBA-së ka përgjegjësinë t’i ndalojë vizita të tilla. Meqenëse Nancy Pelosi është udhëheqësja në detyrë e Kongresit të ShBA-së, vizita e saj në Tajvan në çfarëdo forme dhe për çfarëdo arsyeje, është një provokim madhor politik për të përshkallëzuar shkëmbimet zyrtare të ShBA-së me Tajvanin. Kina absolutisht nuk e pranon këtë dhe populli kinez e hedh poshtë me vendosmëri një gjë të tillë.

Problemi i Tajvanit është çështja më e rëndësishme, më e ndjeshme dhe më thelbësore në marrëdhëniet Kinë-SHBA. Tani situata në ngushticën e Tajvanit po përballet me një raund të ri sfidash serioze, dhe arsyeja themelore për këtë janë lëvizjet e përsëritura nga autoritetet tajvaneze dhe pala amerikane për ta ndryshuar pandërprerë gjendjen. Autoritetet tajvaneze kanë vazhduar të kërkojnë mbështetjen amerikane për agjendën e tyre të pavarësisë dhe nuk e njohin Konsensusin e arritur në vitin 1992 mes dy brigjeve, duke bërë të gjitha përpjekjet për të shkëputur lidhjet me kulturën kineze dhe duke promovuar "pavarësinë në rritje". Nga ana e saj, ShBA-ja synon ta përdorë Tajvanin për ta penguar Kinën, e ka shtrembëruar vazhdimisht parimin e “Një Kine”, ka forcuar shkëmbimet zyrtare me Tajvanin dhe ka mbështetur veprimet separatiste të "pavarësisë së Tajvanit". Këto veprime janë shumë të rrezikshme dhe ata që luajnë me zjarrin do të digjen vetë në të.

Qëndrimi i qeverisë dhe i popullit kinez lidhur me problemin e Tajvanit ka qenë gjithmonë i paluhatshëm. Mbrojtja e sovranitetit dhe e tërësisë territoriale të vendit është vullneti i fortë i popullit kinez 1.4 miliardësh, realizimi i ribashkimit të plotë të atdheut është dëshira e përbashkët dhe përgjegjësia e shenjtë e të gjithë bijve dhe bijave të kombit kinez. Vullneti i popullit nuk mund të pengohet dhe prirja e ribashkimit të atdheut nuk do të ndryshojë. Asnjë vend, asnjë forcë dhe asnjë individ nuk duhet të nënvlerësojë vendosmërinë e paluhatur, vullnetin e fortë dhe aftësinë e madhe të qeverisë dhe popullit kinez për mbrojtjen e sovranitetit kombëtar e të tëtërisisë territoriale dhe për ribashkimin e atdheut dhe përtëritjen e kombit kinez. Kina do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin dhe tërësinë territoriale të vet në përgjigje të vizitës së Nancy Pelosi-t në Tajvan. Pala amerikane dhe forcat separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" duhet të mbajnë përgjegjësinë për të gjitha pasojat që lindin prej kësaj vizite.

Si dy vende të mëdha, Kina dhe SHBA-ja duhet t’i zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe mbi bazën e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore, moskundërvënies dhe bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Problemi i Tajvanit është krejtësisht një çështje e brendshme e Kinës, dhe asnjë vend tjetër nuk ka të drejtë të veprojë si gjyqtar për këtë çështje. Kina i kërkon ShBA-së të ndalojë lojën me "kartën e Tajvanit" duke e përdorur Tajvanin për ta penguar Kinën. ShBA-ja duhet të ndalojë ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës nëpërmjet problemit të Tajvanit, të ndalojë mbështetjen për forcat separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" në çfarëdo forme, të ndalojë së vepruari ndryshe nga ato që thotë lidhur me problemin e Tajvanit dhe të ndalojë shtrembërimin e parimit të “Një Kine”. ShBA-ja po ashtu duhet të respektojë parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, të mbajë siç duhet premtimet e bëra nga udhëheqësit amerikanë lidhur me moskërkimin e një “Lufte të re të Ftohtë”, moskërkimin e ndryshimit të sistemit të Kinës, moskërkimin e forcimit të aleancave për t’iu kundërvënë Kinës, mospërkrahjen ndaj “pavarësisë së Tajvanit” dhe moskërkimin e konfliktit me Kinën, për të mos shkuar më tej në rrugën e gabuar dhe të rrezikshme. (Fani)