Zëdhënësi i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore (AKP) të Kinës bëri të martën një deklaratë në emër të Komitetit të Përhershëm të AKP-së, në përgjigje të vizitës së kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi në Tajvan të Kinës.


Teksti i plotë i deklaratës është si më poshtë:

Më 2 gusht, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Nancy Pelosi, këmbënguli për të vizituar Tajvanin, duke shkelur seriozisht parimin e “Një Kine” dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, duke cenuar seriozisht sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës, duke minuar seriozisht themelin politik të marrëdhënieve kino-amerikane dhe duke lëshuar një sinjal shumë të gabuar ndaj forcave separatiste të "pavarësisë së Tajvanit". Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës e kundërshton dhe e dënon ashpër këtë.

Ka vetëm një Kinë në botë, Tajvani është pjesë e pandarë e territorit të Kinës dhe qeveria e Republikës Popullore të Kinës është e vetmja qeveri e ligjshme që përfaqëson të gjithë Kinën. Parimi i “Një Kine” është parakushti i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës e Shteteve të Bashkuara, si dhe themeli politik i marrëdhënieve kino-amerikane. Shtetet e Bashkuara i kanë bërë premtime solemne Kinës për çështjen e Tajvanit, por me veprimet e tyre kanë përshkallëzuar vazhdimisht marrëdhëniet thelbësore dhe shkëmbimet zyrtare me Tajvanin, kanë mbyllur sytë para forcave separatiste që mbështesin "pavarësinë e Tajvanit" dhe orvaten ta përdorin çështjen e Tajvanit për të penguar Kinën, duke dëmtuar kështu rëndë paqen dhe stabilitetin në brigjet e ngushticës së Tajvanit. Qeveria dhe populli kinez kanë marrë dhe do të vazhdojnë të marrin masa vendimtare dhe efektive për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin, sigurinë dhe interesat e veta të zhvillimit.

Çështja e Tajvanit ka të bëjë me sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kinës dhe Kina nuk do të lërë hapësirë për kompromis. "Ligji kundër përçarjes së vendit" përcakton qartë çështjet kryesore, si respektimi i parimit të “Një Kine”, frenimi i forcave të "pavarësisë së Tajvanit" dhe kundërshtimi i ndërhyrjes së forcave të jashtme në çështjen e Tajvanit. Pozicioni i qeverisë dhe i popullit kinez për çështjen e Tajvanit ka qenë gjithmonë konsistent: është vullneti i vendosur i popullit kinez më shumë se 1.4 miliardësh për të mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe tërësinë territoriale të Kinës. Çdo orvatje për të penguar ribashkimin e plotë të Kinës dhe përtëritjen kombëtare të kombit kinez është e dënuar të dështojë.