VCG

VCG

Shtetet e Bashkuara po ndërmarrin veprime provokuese që mund të çojnë në përshkallëzimin e tensioneve në brigjet e ngushticës së Tajvanit, për të cilat duhet dhe do të marrin përgjegjësinë e plotë, u shpreh të martën zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze Hua Chunying.

ShBA-ja me siguri do të mbajë përgjegjësinë dhe do të paguajë një çmim për cenimin e sovranitetit dhe të interesave të sigurisë të Kinës, shtoi Hua.

“Kohët e fundit, Kina e ka deklaruar në mënyrë të përsëritur qëndrimin e vet solemn se kundërshton me vendosmëri vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së në Tajvan, nëpërmjest kanaleve të shumta dhe në nivele të ndryshme në Pekin dhe Uashington,” u shpreh ajo.

Të gjitha organet qeveritare amerikane, duke përfshirë ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin, duhet të zbatojnë politikën e jashtme të njohur nga qeveria e ShBA-së dhe për të cilën ajo është angazhuar. Në vitin 1979, qeveria e ShBA-së bëri një premtim të qartë në komunikatën për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike kino-amerikane se Shtetet e Bashkuara të Amerikës njohin Republikën Popullore të Kinës si qeverinë e vetme të ligjshme të Kinës. Në këtë kuadër, populli i Shteteve të Bashkuara do të mbajë marrëdhënie kulturore, tregtare dhe marrëdhënie të tjera jozyrtare me popullin e rajonit të Tajvanit.

Zëdhënësja shtoi se veprimet e gabuara të politikanëve individualë amerikanë në të kaluarën nuk duhet të krijojnë një precedent, aq më pak një justifikim që ShBA-ja të bëjë gabime në çështjen e Tajvanit.

Sipas saj, parimi i “Një Kine” është një normë bazë e njohur e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një konsensus i përgjithshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Mbi bazën e këtij parimi Kina ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 181 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara. ShBA-ja ka bërë angazhime solemne ndaj Kinës mbi parimin e “Një Kine” në tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane. Vitet e fundit, ShBA-ja ka pretenduar me fjalë se i përmbahet politikës së “Një Kine”, por ka vazhduar të ecë prapa në vepra, madje duke e gërryer parimin e “Një Kine”, duke përshkallëzuar vazhdimisht nivelin e kontakteve me Tajvanin dhe duke vazhduar shtimin e shitjes së armëve Tajvanit.

Zëdhënësja e diplomacisë kineze shtoi më tej se ShBA-ja mbështet forcat separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" dhe ka provokuar qëllimisht Kinën mbi çështjen e Tajvanit, duke shkelur vijën e kuqe dhe vijën përfundimtare të Kinës hap pas hapi. Shtetet e Bashkuara dhe rajoni i Tajvanit kanë komplotuar dhe provokuar të parët, ndërsa më pas Kina është mbrojtur në mënyrë të ligjshme. Përballë veprimeve të pamatura të ShBA-së duke shpërfillur shprehjen e përsëritur të pakënaqësisë serioze nga ana e Kinës, çdo kundërmasë e ndërmarrë nga Kina është e justifikuar dhe e nevojshme, dhe kjo është gjithashtu e drejtë e çdo vendi të pavarur dhe sovran.

Historia e çështjes së Tajvanit është e qartë, u shpreh më tej Hua Chunying. Fakti që të dyja anët e ngushticës së Tajvanit i përkasin një Kine është i qartë. Ne e kundërshtojmë me vendosmëri ndarjen nga forcat e “pavarësisë së Tajvanit" dhe forcat e huaja dhe nuk do të lëmë kurrë hapësirë për asnjë formë të forcave të "pavarësisë së Tajvanit". Nëse vijon në rrugën e vet, ShBA-ja do të jetë përgjegjëse për të gjitha pasojat e rënda, paralajmëroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës Hua Chunying.