VCG

Kina është një mbështetëse e vendosur e rolit të Kombeve të Bashkuara për trajtimin e sfidave globale, ruajtjen e paqes e të sigurisë dhe promovimin e zhvillimit të përbashkët, tha të hënën përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun.

Në një konferencë shtypi lidhur me kryesimin e Këshillit të Sigurimit prej Kinës në muajin gusht, Zhang theksoi se OKB-ja është një flamurtare e multilateralizmit e një simbol i forcës kolektive dhe roli i saj do të mbetet i pazëvendësueshëm, pavarësisht se si mund të ndryshojë gjendja ndërkombëtare.

Megjithatë, shtoi përfaqësuesi kinez, OKB-ja nuk ekziston në zbrazëti, por fuqia e saj buron nga mbështetja dhe ndihmesa e shteteve anëtare. Në këtë drejtim, vendet e mëdha, në veçanti, duhet të udhëheqin në përmbushjen e detyrimeve të tyre dhe të luajnë një rol të përgjegjshëm, tha Zhang.

Ai vuri në dukje se Kina është e përkushtuar për të praktikuar multilateralizmin e vërtetë.

Një qëllim themelor i qëndrimit të Kinës ndaj çështjeve ndërkombëtare është të mbrojë sistemin ndërkombëtar me OKB-në në qendër dhe të mbështesë rolin qendror të kësaj organizate në çështjet ndërkombëtare, tha ai.

Kina ka bërë përpjekje të pandërprera për përparimin e Agjendës së Zhvillimit të OKB-së dhe e ka arritur objektivin e uljes së varfërisë sipas Agjendës 2030 dhjetë vjet përpara afatit. Nisma e Zhvillimit Global e Kinës i jep një shtysë të mëtejshme arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Vazhdueshëm, duke trajtuar krizën globale ushqimore dhe pabarazinë e çekuilibrin në zhvillimin global, dhe duke dhënë kështu ndihmesën e Kinës në këtë drejtim, theksoi ambadori kinez në OKB.

Zhang shtoi që Kina po ndërmerr veprime konkrete për klimën dhe, si vendi më i madh në zhvillim, po përpiqet të arrijë kulmin e karbonit brenda vitit 2030 dhe asnjanësimin e karbonit përpara fundit të vitit 2060. Ky do të jetë kalimi më i shpejtë në botë nga kulmi në asnjanësimin e karbonit, bëri të ditur ai.

Duke vënë në dukje se vendi i tij i ka zbatuar në mënyrë aktive detyrimet e veta financiare ndaj OKB-së, Zhang tha se Kina është kontribuuesja e dytë më e madhe në buxhetin e rregullt të OKB-së dhe kuotat e paqeruajtjes.

Me gjithë detyrat e vështira brenda vendit për trajtimin e pandemisë, zhvillimin e ekonomisë dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve, Kina përsëri ka arritur t'i kapërcejë këto vështirësi dhe i paguan detyrimet dhe kuotat e saj plotësisht dhe në kohë, duke ofruar mbështetje të fortë burimore për punën e OKB-së dhe përpjekjet e saj paqeruajtëse, tha ai.

Vjet u kremtua 50-vjetori i rikthimit të vendit të ligjshëm të Republikës Popullore të Kinës në OKB. Teksa vijon zhvillimin e vet, Kina do të japë një ndihmesë edhe më të madhe për kauzën e Kombeve të Bashkuara dhe paqen e zhvillimin e botës, theksoi përfaqësuesi i përhershëm kinez në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun.