Foto: VCG

Foto: VCG

Në kuadër të promovimit të Mendimeve të presidentit kinez Xi Jinping mbi qytetërimin ekologjik, autoritetet kineze kanë publikuar një studim dhe e kanë shpërndarë atë në të gjithë vendin.

Libri pasqyron kontributin origjinal të “Mendimeve të Xi Jinping” mbi socializmin me karakteristika kineze për një epokë të re në fushën e një qytetërimi ekologjik dhe një kontribut i tillë është përfshirë në Kushtetutën e Partisë Komuniste të Kinës në vitin 2012 dhe në Kushtetutën e vendit në vitin 2018, përcjell “China Daily”.

Me 10 kapituj, libri shpjegon në mënyrë sistematike thelbin, konotacionin dhe kërkesat e Mendimit mbi Qytetërimin Ekologjik. I promovuar nga presidenti Xi Jinping, i cili është gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, qytetërimi ekologjik është një koncept për një zhvillim të ekuilibruar dhe të qëndrueshëm që shfaq bashkëjetesën harmonike midis njeriut dhe natyrës. Me arritje të rëndësishme të bëra tashmë nën udhëzuesin e Mendimit mbi Qytetërimin Ekologjik, libri, i përpiluar nga Departamenti i Publicitetit i Komitetit Qendror të PKK-së dhe Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit, pritet të ndihmojë në arritjen e synimeve edhe më të mëdha duke forcuar më tej të kuptuarit e filozofisë së re të zhvillimit mes zyrtarëve në të gjithë vendin. Departamenti ka lëshuar një njoftim për komitetet e Partisë të niveleve të ndryshme, duke u kërkuar atyre që jo vetëm të studiojnë në mënyrë sistematike librin, por edhe të mendojnë thellë dhe të integrojnë teorinë me praktikën.

Qian Yong, drejtor i Qendrës Kërkimore për Mendimet e Xi Jinping mbi Qytetërimin Ekologjik, ka theksuar rolin domethënës të Mendimit mbi Qytetërimin Ekologjik në forcimin e institucioneve të vendit për mbrojtjen e mjedisit.

“Falë Mendimit mbi Qytetërimin Ekologjik dhe institucioneve të përfshira, Kina ka bërë përparim të rëndësishëm në ruajtjen e burimeve dhe energjisë, pyllëzimin, kontrollin e ndotjes dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të klimës. Vendi i ka ofruar botës një zgjidhje kineze për zhvillimin e qëndrueshëm”, -tha Qian. (Irma)