Foto: Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi (djathtas) takohet me ministrin e Jashtëm të Pakistanit Bilawal Bhutto Zardari në Tashkent të Uzbekistanit, 28 korrik 2022. /Ministria e Jashtme e Kinës
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi nxiti të enjten përpjekjet për thellimin e bashkëpunimit përgjatë Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan, një projekt kyç në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”.
Gjatë takimit me homologun e vet pakistanez Bilawal Bhutto Zardari në Tashkent të Uzbekistanit, në margjinat e mbledhjes së ministrave të jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Wang i përshkroi të dy vendet si "miq të vërtetë" dhe "vëllezër të mirë". Ai tha se Kina dhe Pakistani ruajnë në mënyrë të vendosur miqësinë mes tyre dhe mbështesin njëri-tjetrin në çështjet me interes thelbësor dhe shqetësim të përbashkët, pavarësisht nga ndryshimet në situatën e brendshme dhe ndërkombëtare.
Kryediplomati kinez theksoi që vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë Pakistanin në mbrojtjen e sovranitetit, pavarësisë e tërësisë territoriale dhe në luajtjen e një roli më të rëndësishëm në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
Të dyja palët duhet të nxitin bashkëpunimin përgjatë Korridorit Ekonomik Kinë-Pakistan dhe të thellojnë bashkëpunimin praktik, shtoi Wang Yi, duke bërë thirrje për përpjekje për të rritur bashkëpunimin në infrastrukturë dhe kapacitetet industriale.