Një numër në rritje i ndërmarrjeve kineze në fushën e teknologjisë dhe prodhimit inteligjent po shtojnë përpjekjet për të zgjeruar aktivitetin e biznesit në të gjithë globin, veçanërisht në disa tregje në zhvillim si Amerika e Jugut dhe Lindja e Mesme, pavarësisht sfidave nga pandemia Covid-19.

Të dhënat nga “Linkedin” treguan se ndërmarrjet kineze të teknologjisë të angazhuara në menaxhimin e softuerit, telekomunikacionit dhe bazës së të dhënave, si dhe ndërmarrjet inteligjente të prodhimit, kanë dëshmuar rritjen më të shpejtë në zgjerimin jashtë shtetit.

“Vitet e fundit, industria inteligjente e prodhimit të Kinës e përfaqësuar nga printimi 3D, automatizimi industrial dhe robotët industrialë ka parë përparim të jashtëzakonshëm”, -tha Vianne Cai, shefja e marketingut në “LinkedIn China”.

Cai theksoi se këto ndërmarrje po kalojnë nga eksportimi i fuqisë punëtore dhe produkteve me intensitet kapital në teknologjitë inovative dhe markat e personalizuara, me vëmendje më të madhe në fushën e kërkimit dhe zhvillimit teknik. Ato e kanë zhvendosur fokusin e tyre në disa tregje në zhvillim si India dhe Brazili në procesin e zgjerimit jashtë shtetit dhe kanë krijuar reputacion shumë të mirë në tregjet jashtë shtetit në vitet e fundit, tha Cai.

Një punonjës i Hisense punon në një fabrikë prodhimi në Cape Town, Afrika e Jugut, në qershor.

Një punonjës i Hisense punon në një fabrikë prodhimi në Cape Town, Afrika e Jugut, në qershor./Xinhua

Disa ndërmarrje prodhuese të teknologjisë së lartë, të energjisë së re, fotovoltaike dhe inteligjente kanë synuar tashmë tregjet jashtë shtetit për rritje në fazat e hershme të zhvillimit, shtoi ajo.

Ndër të parat kompani kineze që zgjodhën të shkojnë jashtë ishin kryesisht ato nga industritë digjitale si aplikacionet sociale, transmetimi video dhe platformat e shkurtra video, por vitet e fundit ndërmarrjet tradicionale kanë krijuar një gjurmë globale dhe kanë rritur konkurrencën globale duke adoptuar teknologjitë digjitale, bëri të ditur “Amazon Web Services”, platforma e shërbimit “cloud” të gjigantit amerikan të teknologjisë “Amazon”.

Ndërmarrjet kineze po zgjerojnë praninë e tyre nga tregjet tradicionale të huaja si Azia Juglindore, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në tregjet në zhvillim si Amerika e Jugut, Lindja e Mesme dhe Afrika, bëri të ditur “AWS”.

“Markat kineze të automjeteve, duke përfshirë prodhuesit tradicionalë të makinave dhe startup-et e automjeteve elektrike, po bëjnë përpjekje aktive në sektorin e automjeteve me energji të re në tregjet jashtë vendit”, -tha Li Xiaomang, menaxher i përgjithshëm i sektorit tregtar të “AWS China”.

Prodhuesi kinez i pajisjeve shtëpiake “Hisense Group” ka përshpejtuar hapat për të zgjeruar biznesin në tregjet e huaja dhe për të ndërtuar marka të personalizuara, duke treguar vendosmërinë e tij për të nxitur transformimin dhe përmirësimin e prodhimit inteligjent, i cili gjithashtu do të bëhet një drejtim i rëndësishëm i zhvillimit strategjik për kompaninë.

Të ardhurat nga tregjet jashtë shtetit pritet të përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit brenda tre viteve, tha Jia Shaoqian, presidente e “Hisense”, duke shtuar se kompania ka forcuar bashkëpunimin me vendet dhe rajonet në nismën “Një brez, një rrugë”.

“Hisense” po prezanton televizorë me lazer të nivelit të lartë dhe produkte televizive ULED, të cilat kanë përmirësime të mëdha për sa i përket kontrastit të imazhit, shkëlqimit dhe spektrit të ngjyrave në tregjet jashtë shtetit, me shitjet e tyre që tejkalojnë 170 për qind në vit.

Deri më tani, Hisense ka krijuar 55 degë në Evropë, Amerikë, Afrikë, Lindjen e Mesme, Australi dhe Azinë Juglindore. Të ardhurat e kompanisë jashtë shtetit arritën në 72.5 miliardë juanë (10.7 miliardë dollarë) në vitin 2021, duke përbërë 41.3 për qind të të ardhurave totale të saj dhe shifra pritet të arrijë në 150 miliardë juanë në 2025-n.

Përmirësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës digjitale si logjistika dhe pagesat ka ulur kostot dhe ka sjellë më shumë lehtësi për firmat që kërkojnë zgjerim jashtë shtetit në mes të pandemisë, bëri të ditur konsulenca globale “Accenture”.

Kompanitë kineze të lojërave kanë përshpejtuar hapat për të zgjeruar praninë e tyre në mbarë globin. Sipas firmës së analizës së të dhënave të aplikacioneve celulare “Sensor Tower”, 40 zhvillues kinezë të lojërave celulare u renditën në listën e 100 kompanive me të ardhura më të mira në rang global në maj. Të dhënat tregojnë se këto kompani kineze grumbulluan një total prej 2.3 miliardë dollarësh në maj, duke përbërë 43 për qind të të ardhurave të gjeneruara nga 100 firmat.

Jiang Han, studiues i lartë në konsulencën e tregut “Pangoal”, tha se pika e fortë e ndërmarrjeve kineze që shkojnë jashtë shtetit është përmirësimi i aftësive të menaxhimit, pasi ato duhet të përshtaten me kulturat e larmishme të korporatave në rajone të ndryshme dhe sistemet e menaxhimit të globalizimit.

Sipas tij, ndërtimi i një strukture organizative të larmishme që është e përshtatshme për zhvillimin e ndërmarrjeve kineze do të injektojë një shtysë më të fortë për markat që kërkojnë zgjerim jashtë shtetit.