Foto:VCG

Foto:VCG

Kryeministri kinez Li Keqiang u shpreh të martën se ura e sapohapur e Peljeshacit në Kroaci do të nxisë më tej miqësinë kino-kroate.

Kreu i qeverisë kineze i tha këto gjatë një videofjalimi në ceremoninë e përurimit të kësaj vepre të ndërtuar nga Kina. Ura, 2 440 metra e gjatë dhe 22.5 metra e gjerë, lidh bregdetin jugor të Adriatikut të Kroacisë me pjesën tjetër të vendit. Ky është projekti më i madh i infrastrukturës së transportit që nga vendosja e lidhjeve diplomatike ndërmjet Kinës e Kroacisë dhe shihet si një model i bashkëpunimit trepalësh ndërmjet Kinës, Kroacisë dhe Bashkimit Evropian.

Duke kujtuar vizitën e tij bashkë me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç në kantierin e ndërtimit tre vjet më parë, Li vuri në dukje se përfundimi i ndërtimit të kësaj ure dhe hapja e saj për trafikun sipas planit ishte një arritje e madhe, pavarësisht sfidave të shumta si pandemia e COVID-19 dhe tërmeti.

Ai shtoi se ura, që mishëron miqësinë ndërmjet Kinës e Kroacisë, pritet të lehtësojë shumë qarkullimin e banorëve vendorë dhe logjistikën, të nxisë zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe të përmirësojë mirëqenien e popullit kroat.

Kryeministri Li theksoi më tej se projekti i ndërmarrë nga një sipërmarrje kineze nëpërmjet ofertës së hapur dhe konkurrencës së ndershme, ka ndjekur ligjet e tregut dhe rregulloret e BE-së dhe ka realizuar përafrimin e investimeve, standardeve, pajisjeve dhe materialeve ndërmjet Kinës e Evropës.

Ai tha se projekti shërben si një shembull i bashkëpunimit kino-evropian me përplotësim dhe përfitime të ndërsjella.