Këtë vit, për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe luhatjeve në tregun ndërkombëtar, ekonomia kineze përballon presion të madh rënieje dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme gjenden përpara vështirësive më të mëdha. Atëherë, si të realizohet përparimi në një gjendje të tillë?

Foto:VCG

Foto:VCG

Bashkëpunim dhe bashkëfitim

Orenditë shtëpiake janë një industri me epërsi dhe sektor shtyllë në distriktin Nankang të qytetit Ganzhou të provincës Jiangxi, ku ndërmarrjet janë kryesisht të vogla dhe të mesme.

Liao Jiaping, drejtori i fabrikës së orendive "Haofeng", tregon: “Numri i porosive pati rënie. Ishin të shqetësuar prej kohësh dhe kërkuam pandërprerë zhvillimin e biznesit, duke shpresuar që të kishim më shumë porosi dhe kompania jonë të mbijetonte.”

Po në këtë kohë, kompania e orendive shtëpiake "Yuanrong", që ndodhet 5 km larg, nuk guxonte të zgjeronte prodhimin, duke bërë që shumë porosive t'u afronte afati i mbarimit. Prandaj, këto dy ndërmarrje bënë bashkëpunim, duke zgjidhur vështirësitë që përballonin të dyja.

Kryemenaxheri i kompanisë "Yuanrong" Wu Zuning thotë: “Ky është përdorim i përbashkët i burimeve. Kemi më shumë porosi dhe, me këtë vëllim, mund të kemi çmim më të ulët. Me bashkëpunim mund të kryejmë më shpejt porositë e të shkurtojmë kohën e dërgimit, dhe të gjithë do të kenë presion më të vogël. Besojmë që, nëse bashkëpunojmë, patjetër do të arrijmë përparim.”


Masa të shumëfishta ndaj vështirësive

Qysh nga marsi i këtij viti, Shangai pësoi goditje të rëndë nga epidemia. Organet përkatëse publikuan masa mbështetëse, si ulja e taksave dhe tarifave, ulja ose heqja e qirave dhe subvencionet financiare, me synim që të zbuteshin goditjet e epidemisë ndaj ndërmarrjeve të vogla e të mesme.

Chang Li, zv.presidentja dhe drejtorja e marketingut e kompanisë "Jaka Robot", thotë: “Komisioni i Shkencës dhe i Teknologjisë ka publikuar një sërë politikash mbështetëse për ndërmarrjet teknologjike. Parku ku ndodhemi ne, po zbaton politikën e uljes ose heqjes së qirasë për gjashtë muaj. Kjo është vërtet një ndihmë në kohë.”

Të dhënat tregojnë që, qysh nga marsi, institucionet financiare në Shangai kanë dhënë 72.3 miliardë juanë kredi për mbi 10 mijë ndërmarrje dhe pronarët e ndërtesave shtetërore kanë pakësuar ose hequr qira me vlerë mbi 10 miliardë juanë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Profesori i asociuar i Departamentit të Historisë të Universitetit Shtetëror të Kievit Urusov Volodymyr thekson: “Qysh nga viti 2019, qeveria kineze ka zbatuar vazhdimisht uljen e tatim-taksave dhe 90 % e përfituesve janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Këto politika kanë mbështetur fuqimisht zhvillimin e ndërmarrjeve, veçanërisht ulja e TVSh-së, që ka pakësuar jashtëzakonisht barrën e ndërmarrjeve, duke shtuar fluksin e kapitalit të tyre.”

Foto:VCG

Foto:VCG

Përparim me risi

Në shkurt 2022, Ye Fukun e mbylli restorantin e vet në Shenzhen që ishte në prag të falimentimit, duke u regjistruar falas në platformën e shërbimeve ushqimore “Tanshangxiaoshi”.

Ye Fukun thotë: “Nuk paguajmë qira, prandaj nuk kemi presion. Të gjithë përbërësit ofrohen nga platforma. Ne përgatisim vetëm ushqimet. Javën e kaluar, përgatitëm 300 pjata në ditë.”

Kryemenaxheri i kompanisë "Tanshangxiaoshi", Zhang Guoqiang, thotë: “Në gjendjen epidemike, kemi krijuar në mënyrë inovative këtë platformë për dërgimin e ushqimeve. Përdorim modelin e ndarjes së fitimeve dhe nuk ka kosto qiraje. Kemi ndërtuar një platformë të mirë, ku sipërmarrësit mund të bëjnë thjesht e drejtpërdrejt biznesin e tyre.”

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të arrijnë ndryshim të shpejtë me ndihmën e teknologjive të reja për shkak të përmasave të tyre të vogla. Shumë ndërmarrje të vogla dhe mikrondërmarrje i kanë kaluar vështirësitë nëpërmjet inovacionit, duke pasur zhvillim të ri.

Kryetari i Shoqatës për Promovimin e Rrugës së Re të Mëndafshit të Italisë, Francesco Maringiò, thotë: “Këto politika kanë pasur efekte të dukshme. Në qershor, të ardhurat e shitjes të ndërmarrjeve të vogla dhe mikrondërmarrjeve kanë treguar një prirje pozitive, duke shënuar rritje me 6 %, 3.4 pikë përqindjeje më shumë se në maj.”