Foto:VCG

Foto:VCG

“Kjo vizitë është me përfitime të ndërsjella dhe është një mundësi e shkëlqyer për zhvillimin e Indonezisë,” u shpreh Trissia Wijaya e Qendrës së Studimit të Politikave të Indonezisë lidhur me vizitën e presidentit indonezian Joko Widodo në Kinë. Parashikimi i saj u vërtetua plotësisht të martën, kur presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij indonezian Joko Widodo zhvilluan bisedime të frytshme, thuhet në një koment të CMG-së.

Presidenti Joko Widodo është kryetari i parë i shtetit që viziton Kinën pas Lojërave Dimërore Olimpike të Pekinit dhe Kina është ndalesa e parë e turneut të tij në Azinë Lindore. Kjo tregon që dy palët kanë lidhje mjaft të ngushtë. Po të shohim arritjet e bisedimeve mes dy krerëve të shteteve, mund të vërejmë që të dy palët kanë përcaktuar drejtimin kryesor për ndërtimin e bashkësisë me fate të përbashkëta Kinë-Indonezi, kanë publikuar deklaratën e përbashkët mbi takimin e krerëve të shteteve dhe kanë vazhduar memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë” të Kinës dhe “Boshtit Detar Global” të Indonezisë, duke nënshkruar dokumente bashkëpunimi në fushën e kërkimeve lidhur me vaksinat, zhvillimin e gjelbër, shkëmbimin e të dhënave, sigurinë kibernetike, çështjet detare etj. Sipas agjencisë së lajmeve "Reuters", ky është një takim me “përfitime të ndërsjella”.

Tani Kina dhe Indonezia ndodhen në faza të ngjashme zhvillimi, kanë interesa e mendime të përbashkëta dhe kanë qëndrime të përbashkëta për çështjet ndërkombëtare.

Nisma “Një brez, një rrugë” është kyçi i zhvillimit të përbashkët. Në tetor 2013, gjatë vizitës në Indonezi, presidenti Xi Jinping propozoi ndërtimin e përbashkët të “Rrugës Detare të Mëndafshit të Shekullit të 21-të”. Nëntë vjet më pas, bashkëpunimi kino-indonezian lidhur me “Një brez, një rrugë” ka pasur përparime të dukshme, veçanërisht hekurudha e shpejtësisë së lartë Xhakartë-Bandung, që është bërë një vepër simbol.

Hekurudha Xhakartë-Bandung është hekurudha e parë me shpejtësi të lartë në Azinë Juglindore dhe parashikohet të vihet në përdorim më 2023. Me këtë linjë të shpejtë, koha e udhëtimit nga Xhakarta për në Bandung do të shkurtohet në rreth 40 minuta, nga mbi tre orë që është tani. Krahas kësaj, do të krijohen mbi 5 mijë vende pune dhe do të stimulohet rritja ekonomike përgjatë kësaj linje. “Mezi po pres që të kem hekurudhën e shpejtë deri në shtëpinë time. Faleminderit shumë, Kinë!” u shpreh qytetarja indoneziane Tasia.

Gjatë bisedimeve, Xi theksoi që duhet të thellohet pandërprerë ndërtimi i përbashkët i “Një brez, një rrugë” dhe të bëhen përpjekje që kjo nismë të arrijë më shumë rezultate. Pas bisedimeve, dy palët nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin në kuadër të “Një brez, një rrugë” dhe “Boshtit Detar Global”. Kjo me siguri do të nxitë integrimin e saktë të strategjive kombëtare të të dy palëve dhe do të vërtetojë angazhimin e Kinës: “Sa kohë që diçka është në të mirë të zhvillimit të Indonezisë ose të thellimit të bashkëpunimit kino-indonezian, Kina do të marrë pjesë në mënyrë aktive dhe me të gjitha forcat”.

Vlen të përmendet që gjatë bisedimeve, presidenti Joko Widodo i përshkroi marrëdhëniet Kinë-Indonezi me fjalët “bashkësi me fate të përbashkëta”, “interesa të ndërsjellë, përfitime të përbashkëta” e“energji pozitive”. Nuk e dimë çfarë mendon zyrtari i lartë ushtarak amerikan që po promovonte të ashtuquajturin “kërcënim nga Kina” pak ditë më parë në Indonezi, theksohet në komentin e CMG-së, duke shtuar që vizita e presidentit Joko Widodo ka treguar qartë se Azia nuk e mirëpret konfrontimin në bllok dhe politikën e qarqeve të mbyllura dhe që kërkesa e popujve të këtij rajoni është paqja e zhvillimi.