Pekini tha se është plotësisht i përgatitur të përgjigjet me "masa të forta" nëse kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së Nancy Pelosi do të vizitojë Tajvanin.

Pelosi do të shkojë në Tajvan në krye të një delegacioni në gusht, raportoi "Financial Times" javën e kaluar, duke cituar burime në dijeni për këtë çështje. Nëse do të kryhej, udhëtimi do ta bënte atë ligjvënësen më të lartë amerikane që viziton ishullin që nga viti 1997.

"Pala kineze e ka bërë të qartë kundërshtimin e saj të vendosur ndaj Shteteve të Bashkuara në lidhje me vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Pelosi në Tajvan në shumë raste. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë të madh dhe qëndrimin tonë të ashpër," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Zhao Lijian gjatë një konference të rregullt për shtypin të hënën.

Shkëmbimet zyrtare të Uashingtonit me Tajvanin shkelin parimin e "Një Kine", i cili udhëhiqet nga dispozitat e tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane.

"Ne jemi plotësisht të përgatitur. Nëse ShBA-ja vijon në rrugën e saj, Kina me siguri do të marrë masa të vendosura e të forta për të mbrojtur sovranitetin kombëtar e integritetin e saj territorial, dhe ShBA-ja duhet të marrë përgjegjësinë e plotë për çdo pasojë," tha Zhao.

Nëse Pelosi viziton Tajvanin, sigurisht që kjo do të shkaktojë dëme jashtëzakonisht serioze në marrëdhëniet ndërmjet dy ushtrive e do të intensifikojë më tej tensionet në dy brigjet e ngushticës së Tajvanit, u shpreh të martën Tan Kefei, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare. Ai i kërkoi palës amerikane të ndërmerrte veprime konkrete për të përmbushur premtimin e saj për të mos mbështetur "pavarësinë e Tajvanit" dhe për të mos lejuar vizitën e Pelosit në Tajvan, duke shtuar se ushtria kineze nuk do të qëndrojë kurrë duarkryq nëse një plan i tillë vihet në jetë.