Qendra Ndërkombëtare e Konferencave e Ekspozitave e Hainanit/ VCG

Qendra Ndërkombëtare e Konferencave e Ekspozitave e Hainanit/ VCG

Hainan-i, një provincë ishullore në Jugun e Kinës, ka pasur një rritje të dukshme gjatë dy vjetëve të kaluar, qysh kur nisi zyrtarisht atje plani i zhvillimit të portit të tregtisë së lirë (FTP) në vitin 2020.

Vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i PBB-së së Hainan-it ishte 647.52 miliardë juanë (afro 101.77 miliardë dollarë amerikanë), me një rritje prej 11.2 për qind në krahasim me vitin 2020, sipas të dhënave zyrtare të publikuara në janar.

Kjo ishte gjithashtu rritja më e shpejtë mesatare ndër rajonet në nivel province të Kinës gjatë dy vjetëve të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të raportuara nga media vendore.

Si një ishull tropikal me një sipërfaqe të përgjithshme 3.518 milionë hektarë, Hainan-i ka kushte të mira natyrore, përfshirë një vijë bregdetare prej 1944 kilometrash, që konsiderohet si "thesar" i turizmit.

Megjithatë, modeli i ri i zhvillimit të Hainan-it e kapërcen forcën tërheqëse tradicionale të peizazhit ishullor, duke vënë në fokus epërsitë e sjella nga FTP-ja.

Plani i ri nxit rritjen e re

Plani i përgjithshëm i krijimit të një porti të tregtisë së lirë në Hainan u paraqit nga qeveria kineze në vitin 2018 dhe filloi të zbatohej në vitin 2020.

Për ndërtimin e një FTP-ja me ndikim global dhe të nivelit të lartë, gjatë dy vjetëve të kaluar në Hainan filluan të zbatohen mbi 180 politika dhe masa, duke përfshirë listën e parë negative për tregtinë e shërbimeve dhe politikën e tarifave zero për një pjesë mallrash të importuara. Të gjitha këto kanë nxitur dhe lehtësuar tregtinë e investimet.

Sipas të dhënave zyrtare, vjet në Hainan u krijuan gjithsej 1936 kompani me investime të huaja, ndërsa investimet e huaja reale arritën në 3.52 miliardë dollarë amerikanë, përkatësisht 92.64 dhe 16.2 për qind më shumë në krahasim me vitin 2020.

Deri tani, numri i subjekteve të tregut të regjistruara në Hainan është shtuar nga më pak se 310 mijë në vitin 2013 në mbi 1.98 milionë.

Ndërkohë, sektori i shitjes me pakicë ka pasur një rritje të fuqishme, falë politikës unike pa taksa doganore për udhëtarët që largohen nga ishulli, por jo jashtë vendit.

Dyqanet pa taksa doganore janë një nga forcat thelbësore konkurruese të provincës Hainan në konsumin turistik dhe mbi 81 milionë turistë kinezë e të huaj e vizituan ishullin në vitin 2021, me një rritje prej 25.5 për qind në krahasim me vitin 2020.

Shpenzimet turistike e kanë ndihmuar Hainan-in të realizojë një rritje prej 26.5 për qind në shitjet me pakicë të produkteve të konsumit vitin e kaluar, duke arritur në 249.8 miliardë juanë.

Për të mbështetur më tej pozicionin e Hainan-it si një platformë e re për hapjen e mëtejshme të Kinës, në maj 2021 nisi të organizohet në kryeqendrën e kësaj province, Haikou, Ekspozita Ndërkombëtare e Produkteve të Konsumit e Kinës.

Kjo veprimtari vjetore është ekspozita e parë ndërkombëtare në Kinë me produkte konsumi të nivelit të lartë, si edhe ekspozita më e madhe e këtij lloji në rajonin e Azi-Paqësorit.

Në vitin 2021, përfaqësues nga 70 vende e rajone morën pjesë në ekspozitën katërditore, me 2 628 marka të 1 505 kompanive kineze dhe të huaja. Ajo demonstroi forcën e fuqishme tërheqëse të tregut kinez dhe të portit të tregtisë së lirë.

Sivjet, edicioni i dytë i kësaj ekspozite që po zhvillohet në Hainan, ka tërhequr mbi 1 600 marka ndërkombëtare nga 61 vende e rajone, me pjesëmarrjen për herë të parë të markave kryesore në shumë nënsektorë.

Më shumë objektiva në të ardhmen

Qeveria qendrore kineze ka vendosur që brenda vitit 2025 të fillojë të zbatojë një sistem të pavarur doganor në Hainan, si pjesë përbërëse e planit të FTP-së.

2022-shi është një vit i rëndësishëm për FTP-në e Hainan-it dhe një periudhë kyçe për përgatitjen e sistemit të pavarur doganor në mbarë ishullin, sipas një udhëzuesi të ri të investimeve të publikuar në prill nga Departamenti i Tregtisë i Hainan-it.

Me pozicionin e favorshëm që zë në strategjinë kombëtare të zhvillimit të vendit dhe me arritjet e realizuara, Hainan-i ka më shumë objektiva ambicioze për rritjen e ardhshme.

Sivjet ishulli pritet të arrijë një rritje ekonomike prej afro 9 për qind, bënë të ditur organet e qeverisjes vendore në janar.

Gjatë periudhës nga viti 2021 deri më 2025, Hainan-i synon një rritje mesatare vjetore mbi 10 për qind gjatë Planit të vet të 14-të Pesëvjeçar, shifër kjo më e lartë se përmasa e rritjes mesatare vjetore prej 6.5 për qind gjatë Planit të 13-të Pesëvjeçar (2016-2020). (Wang Lei/ Artan)