Senati i ShBA-së miratoi ditët e fundit një votim procedurial për “Projektligjin e mikroçipave”, duke hapur rrugën për votimin e këtij projektligji në të dy dhomat e Kongresit. Media amerikane bëri të ditur se, sipas këtij projektligji, do të jepen mbi 50 miliardë dollarë fonde për të nxitur zhvillimin e industrisë së gjysmëpërçuesve të vendit, të cilat do të përdoren për subvencione dhe kredi tatimore përkatëse, për të inkurajuar sipërmarrjet amerikane që të ndërtojnë fabrika në vend. Po sipas medias amerikane, ky projektligj do të krijojë një “mur mbrojtës”, që do të kufizojë kompanitë e subvencionuara të investojnë në Kinë.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Ky projektligj duket shumë qartë se drejtohet kundër Kinës, thekson në një koment Grupi Mediatik i Kinës (CMG). Në fakt, sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre tha pa e fshehur se stimujt synojnë që të investohet më shumë në ShBA, e jo në Kinë, duke shtuar që “ky ‘mur mbrojtës’ do të ndihmojë në ngadalësimin e rritjes së investimeve në Kinë, prandaj ky është një ndër projektligjet më të rëndësishme”. Shpallja kaq e drejtpërdrejtë që këto masa janë kundër Kinës dëshmon se mendimi hegjemonist i ShBA-së është i rrënjosur thellë, thuhet më tej në koment.

Industria e mikroçipave është mjaft e globalizuar dhe ka nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar. Formimi dhe zhvillimi i zinxhirit global industrial e të furnizimit të mikroçipave është rrjedhojë e ndikimit të përbashkët të rregullave të tregut dhe zgjedhjes së ndërmarrjeve. Sipas të dhënave, prodhimi i disa llojeve të përparuara të mikroçipave përfshin mbi një mijë procedura dhe kërkon mbi 70 bashkëpunime ndërkufitare. Politikanët amerikanë nxitin “shkëputjen dhe ndërprerjen e zinxhirit”, çka është kundër rregullave të tregut dhe prish stabilitetin e zinxhirit industrial global.

[Foto: VCG]

[Foto: VCG]

Ndërhyrja politike nuk mund të ndalojë ligjet e tregut dhe “shkëputja teknologjike” nuk mund të ndalojë zhvillimin e Kinës. Sipas të dhënave nga Shoqata e Industrisë së Gjysmëpërçuesve e Kinës, vëllimi i përgjithshëm i shitjes së ndërmarrjeve kineze që kanë lidhje me mikroçipat u rrit 18 për qind në vitin 2021, duke arritur në 1 trilion juanë. Ndërsa të dhënat e “Bloomberg”-ut tregojnë që, në katër tremujorët e kaluar, 19 ndër 20 ndërmarrjet e industrisë së mikroçipave me rritje më të shpejtë në çdo tremujor në botë janë nga Kina. Sipas një raporti, rritja e të ardhurave të ndërmarrjeve kineze të mikroçipave është disa herë më e madhe sesa e ndërmarrjeve të famshme globale të gjysmëpërçuesve. Kompanitë e huaj sigurisht e dinë se “për kë do të votojnë”.

Sipas planit të Shtëpisë së Bardhë, “Projektligji i mikroçipave” do të miratohet para mbylljes së sesionit të Kongresit në gusht. Në kontekstin e sotëm të globalizimit, nëse ShBA-ja detyron transferimin e industrisë ose shkëputjen, kjo me siguri do të sjellë kaos në ndarjen globale të punës, duke përkeqësuar mungesën e furnizimit me mikroçipa. Është më mirë që politikanët të mos çojnë ndër mend ide të këqija, por të bëjnë më shumë për të ruajtur stabilitetin e zinxhirit global industrial e të furnizimit. Ai që përpiqet të bllokojë rrugën e të tjerëve, në fund vetëm se do të bllokojë rrugën e vet, mbyllet komenti i CMG-së. (Li Huailiang/Artan)