Nën ndikimin e konfliktit ndërmjet Rusisë e Ukrainës dhe të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë, zinxhiri i furnizimit energjetik të shumë vendeve europiane është shkatërruar dhe çmimet e energjisë kanë mbetur të larta. Vlen të theksohet se kjo situatë tensioni ndërmjet ofertës dhe kërkesës për energji, e shkaktuar nga faktorë gjeopolitikë, është shtrirë edhe në fushën e ndryshimit klimatik. Disa vende janë sprapsur lidhur me politikën e energjisë, duke dëmtuar besueshmërinë e BE-së në përballimin e ndryshimit të klimës, si edhe duke hedhur hije mbi përpjekjet globale për kontrollin e ndryshimit klimatik.

Në fillim të këtij muaji, Parlamenti Europian votoi për t’i vendosur gazit dhe energjisë bërthamore një “etiketë të gjelbër”. Kritikët janë të mendimit se kjo nënkupton një pengesë në premtimin e pakësimit të lëshimit të dioksidit të karbonit, madje rrezikon objektivin e BE-së për realizimin e asnjanësimit të karbonit në vitin 2050.

Qeveria gjermane kishte premtuar të hiqte dorë nga prodhimi i energjisë me qymyr në vitin 2030 në një “skenar ideal”, por tani politika e saj ka ndryshuar shumë, dhe Gjermania ka shpallur se do të përdorë më shumë energji nga qymyri për të përmbushur kërkesën. Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes së Klimës dhe Energjisë të Bundestagut gjerman Klaus Ernst kritikoi: “Ringjallja e energjisë nga qymyri është një fatkeqësi për politikën klimatike.”

Përballimi i ndryshimit të klimës është detyrë e përbashkët e komuniteit ndërkombëtar dhe nuk duhet të ndikohet nga faktorë gjeopolitikë të përkohshëm. BE-ja duhet të reflektojë mbi praktikën e sanksioneve ndaj Rusisë, e jo të ndryshojë politikën e vet energjetike duke shkelur premtimet e veta mbi çështjen e ndryshimit të klimës. (Fang Xiaoyu/Artan)