Foto: Xinhua
Bashkatdhetarët e Tajvanit duhet të njohin mirë prirjen e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet dy anëve të ngushticës, të qëndrojnë në anën e duhur të historisë dhe të kundërshtojnë me vendosmëri aktet separatiste të "pavarësisë së Tajvanit", tha të mërkurën anëtari i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez Wang Yang.
Duke folur në Forumin e 14-të të Ngushticës, i cili filloi të martën në qytetin bregdetar Xiamen të provincës Fujian të Kinës Juglindore, Wang vuri në dukje se banorët në të dy anët e ngushticës janë anëtarë të së njëjtës familje. Ai theksoi më tej se, që nga Kongresi i 18-të Kombëtar, PKK-ja ka zbatuar politikën e saj të gjithanshme për zgjidhjen e çështjes së Tajvanit në epokën e re dhe ka respektuar parimin e "Një Kine" e Konsensusin e vitit 1992, për të promovuar zhvillimin paqësor të marrëdhënieve ndërmjet dy brigjeve të ngushticës.
Duke pasur një atdhe të fortë ku mund të mbështeten, jetesa e bashkatdhetarëve tajvanezë do të përmirësohet dhe ata do të kenë më shumë hapësirë zhvillimi, theksoi kryekëshilltari politik.
Forumi i sivjetshëm ka temën e promovimit të shkëmbimeve njerëzore dhe thellimit të zhvillimit të integruar të dy brigjeve të ngushticës së Tajvanit. Gjithsej 43 veprimtari po zhvillohen si në internet, ashtu edhe me prani fizike, dhe rreth 2 000 pjesëmarrës nga Tajvani pritet të ketë në veprimtaritë me prani fizike.
Andrew Hsia, nënkryetari i Partisë së Kuomintangut Kinez (KMT), theksoi në videofjalimin e tij se kjo parti do të promovojë shkëmbimet dhe dialogun ndërmjet dy brigjeve të ngushticës në bazë të Konsensusit të vitit 1992 dhe do të kundërshtojë me vendosmëri "pavarësinë e Tajvanit".
Duke mbajtur një fjalim në konferencë, Wu Cheng-tien, kryetar i Partisë së Re të Tajvanit, bëri thirrje për shkëmbime të gjera ndërmjet dy anëve të ngushticës dhe për arritjen e ribashkimit paqësor nëpërmjet konsultimeve dhe negociatave.