foto/Xinhua

foto/Xinhua

Tregtia e jashtme e mallrave e Kinës u rrit me 9.4 për qind në gjysmën e parë të vitit në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke arritur në 19.8 trilionë juanë (rreth 2.94 trilionë dollarë amerikanë), treguan të dhënat zyrtare të mërkurën.

Gjatë gjashtë muajve të parë eksportet u rritën 13.2 për qind, duke arritur në 11.14 trilionë juanë, ndërsa importet 4.8 për qind në 8.66 trilionë juanë, sipas Administratës së Përgjithshme të Doganave.

"Tregtia e jashtme u rrit ndjeshëm në maj dhe qershor," vuri në dukje Li Kuiwen, zëdhënës i Administratës.

Ndërsa gjendja e parandalimit dhe e kontrollit të epidemisë është përmirësuar dhe politikat pro rritjes po japin efekt, ndërmarrjet e tregtisë së jashtme kanë rifilluar punën e prodhimin në mënyrë të rregullt që nga maji.

"Në veçanti, mëkëmbja e shpejtë e import-eksportit në deltën e lumit Jance çoi në një rikthim të dukshëm të rritjes së përgjithshme të tregtisë së jashtme të Kinës," bëri të ditur Li.

Rritja e tregtisë së jashtme të Kinës u përshpejtua në 14.3 për qind në qershor, krahasuar me 9.5 për qind në maj dhe 0.1 për qind në prill.

Në gjysmën e parë të këtij viti, tregtia e Kinës me tre partnerët kryesorë tregtarë - ASEAN-in, BE-në dhe ShBA-në - u shtua përkatësisht me 10.6, 7.5 dhe 11.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Nga janari në qershor, tregtia e Kinës me vendet e "Një brez, një rrugë" dhe të Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal u rrit përkatësisht me 17.8% dhe 5.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vjetshme.

Për sa u përket llojeve të mallrave, importet dhe eksportet e produkteve mekanike dhe elektrike janë rritur me 4.2 për qind, duke zënë 49.1 për qind të vëllimit të përgjithshëm.

Edhe ndërmarrjet private shënuan rezultate të mira, pasi importet dhe eksportet e tyre u rritën me 13.6 për qind, duke tejkaluar rritjen e përgjithshme të vendit.

Eksportet e produkteve me punë intensive të Kinës u shtuan 13.5 për qind, duke kapur vlerën 1.99 trilionë juanë, ndërsa importet e produkteve energjetike, duke përfshirë naftën bruto, gazin natyror dhe qymyrin, u rritën me 53.1 për qind, treguan të dhënat e doganave. (Artan)