foto/Xinhua

foto/Xinhua

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi mbajti një fjalim në Sekretariatin e ASEAN-it në Xhakartë të Indonezisë të hënën, duke vlerësuar lart arritjet në bashkëpunimin Kinë-ASEAN dhe duke bërë propozime për të mbështetur rajonalizimin e hapur së bashku me ASEAN-in.

Wang Yi tha se marrëdhëniet Kinë-ASEAN kanë qëndruar gjithmonë në pararojë në shumë fusha. Bashkëpunimi i Kinës me vendet e ASEAN-it kundër COVID-19 ishte një dëshmi e gjallë e miqësisë së thellë ndërmjet të dy palëve. Aktualisht Kina dhe ASEAN-i janë partnerët më të mëdhenj tregtarë të njëri-tjetrit, me vëllimin e tregtisë dypalëshe që është rritur 100 herë nga 30 vjet më parë, kurse investimet e drejtpërdrejta të dyanshme i kanë kaluar 310 miliardë dollarët amerikanë.

Edhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërmjet Kinës e ASEAN-it ka bërë përparim të qëndrueshëm, ndërsa dallimet e mosmarrëveshjet janë menaxhuar në mënyrë efektive, shtoi ai.

“Rajoni ynë ka pasur arritje të tilla të spikatura dhe ka krijuar mrekulli të jashtëzakonshme në rritjen ekonomike, kryesisht sepse vendet e tij kanë këmbëngulur në politikën e hapjes, kanë respektuar e vlerësuar diversitetin ndërmjet tyre dhe kanë mbështetur e praktikuar parimin e vullnetarizmit,” tha Wang Yi.

Ai vuri në dukje se ka dy prirje krejtësisht në ndryshme në lidhje me të ardhmen e Azisë. Njëra mbron rajonalizimin e hapur, multilateralizmin e vërtetë, vënien në qendër të zhvillimit dhe bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë, ndërsa tjetra ndjek një rikthim në mendësinë e vjetruar të Luftës së Ftohtë dhe të politikës së grupeve të mbyllura.

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Si vendi më i madh në zhvillim në botë dhe një vend i rëndësishëm në Azi, Kina ka ndjekur gjithmonë një rrugë zhvillimi paqësor dhe një strategji hapjeje me përfitime të përbashkëta, tha kryediplomati kinez.

“Ne shpresojmë të mbrojmë rajonalizimin e hapur së bashku me ASEAN-in dhe të thellojmë partneritetin tonë strategjik gjithëpërfshirës,” shtoi ai.

Kina do të vazhdojë të mbështesë vendin qendror të ASEAN-it dhe të promovojë solidaritetin e bashkëpunimin në rajon. Pekini përkrah fuqimisht rolin udhëheqës të ASEAN-it dhe një arkitekturë të bashkëpunimit rajonal që ka në qendër ASEAN-in.

Kina do të vazhdojë të bëjë thirrje për zgjidhjen e dallimeve sipas mënyrës aziatike dhe për të mbështetur paqen e qëndrueshmërinë rajonale, tha Wang Yi.

Sipas tij, Kina dhe vendet e ASEAN-it po përshpejtojnë konsultimet për Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore dhe do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e ASEAN-it për ndërtimin e një zone pa armë bërthamore.

Pala kineze është e gatshme të nisë një raund të ri të ngritjes së nivelit të Zonës së Tregtisë së Lirë Kinë-ASEAN sa më shpejt të jetë e mundur dhe të zbatojë Partneritetin e Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), duke promovuar përmirësimin e tij në kohën e duhur. Kina është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje të tregtisë së lirë të standardeve të larta me më shumë vende dhe mirëpret integrimin e bashkëpunimit të saj me ASEAN-in me zhvillimin e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao.

Kina do të vazhdojë të çojë përpara me vendosmëri bashkëpunimin në shkencë, teknologji dhe inovacion, për të stimuluar forcat e reja nxitëse të zhvillimit rajonal, u shpreh Wang.

Kreu i diplomacisë kineze shtoi gjithashtu që vendi i tij është i gatshëm të forcojë ndërlidhjen digjitale dhe të eksplorojë bashkëpunimin lidhur me ekonominë me lëshim të ulët karboni dhe të gjelbër. Kina do të promovojë inovacionin shkencor e teknologjik pa pengesa e pa diskriminim, që i kapërcen kufijtë, do të zbatojë Programin e Forcimit të Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit Kinë-ASEAN dhe do të përshpejtojë transformimin e zhvillimin rajonal. (Fang Xiaoyu/Artan)