foto/VCG

foto/VCG

Presidenti i Kinës Xi Jinping iu përgjigj të hënën të rinjve tajvanezë që morën pjesë në Forumin Rinor të Ngushticës, duke i inkurajuar të rinjtë në të dy anët e ngushticës së Tajvanit të bëjnë përpjekje së bashku për të realizuar Ëndrrën Kineze.

Në letrën e tij të përgjigjes, kreu i shtetit i Kinës tha: “Jam shumë i kënaqur që jeni lidhur me pjesën kontinentale për shkak të Forumit Rinor të Ngushticës, keni gjetur një platformë në pjesën kontinentale për të realizuar ëndrrat tuaja, keni përjetuar zhvillimin e shpejtë të atdheut dhe keni ndier dashurinë e ngrohtë të bashkatdhetarëve në të dy anët e ngushticës”.

Xi Jinping-u theksoi më tej se begatia e të rinjve e bën edhe një vend të begatë, dhe që, nëse rinia është e fortë, edhe vendi do të jetë i fortë. E ardhmja e atdheut dhe e kombit qëndron te të rinjtë. “Ne do të vazhdojmë të krijojmë kushte të mira për të rinjtë nga të dyja anët e ngushticës për të mësuar nga njëri-tjetri dhe do t’u ofrojmë më shumë lehtësi të rinjve tajvanezë që të studiojnë, të krijojnë biznese, të punojnë dhe të jetojnë në pjesën kontinentale. Shpresoj se do të ndani përvojat dhe njohuritë tuaja lidhur me pjesën kontinentale me të rinjtë tajvanezë, për të njohur pjesën kontinentale, për të punuar dhe ecur së bashku me të rinjtë e pjesës kontinentale, duke bërë që rinia të shkëlqejë gjatë procesit të realizimit të ëndrrës së përtëritjes së madhe të kombit kinez,” vuri në dukje Xi.

Forumi Rinor i Ngushticës, që u themelua në vitin 2003 dhe bashkorganizohet nga Federata Rinore Mbarëkineze, Shoqata e Shkëmbimeve Rinore Kineze e Tajvanit dhe Federata Kineze e Punëtorëve të Rinj e Kuomingtang-ut, është një platformë e rëndësishme për shkëmbimet rinore të të dy anëve të ngushticës. Forumi i 20-të Rinor i Ngushticës u mbajt në qytetin Xiamen nga 11 deri më 12 korrik. 50 të rinjtë tajvanezë pjesëmarrës në këtë forum i shkruan një letër presidentit Xi Jinping, duke shprehur ndjenjat e tyre mbi studimin, punën e jetën në pjesën kontinentale dhe vendosmërinë për të kontribuuar në përtëritjen kombëtare dhe ribashkimin e atdheut. (Fang Xiaoyu/Artan)