VCG

VCG

Tregtia ndërmjet Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut (HKSAR) dhe pjesës kontinentale të Kinës është shtuar më shumë se gjashtëfish që nga kthimi i rajonit në atdhe 25 vjet më parë, sipas të dhënave të Ministrisë kineze të Tregtisë.

Nga viti 1997 deri vjet, vlera e tregtisë midis Hong-Kongut dhe pjesës kontinentale u rrit 6.1 herë, duke shkuar nga 50.77 miliardë në 360.33 miliardë dollarë amerikanë, me një rritje mesatare vjetore prej 8.5 %.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se, deri në fund të vitit 2021, investimet nga Hong-Kongu në pjesën kontinentale arritën në 1.4 trilion dollarë amerikanë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Tregtisë Shu Jueting tha në një konferencë shtypi të enjten se bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar ndërmjet pjesës kontinentale e Hong-Kongut është thelluar vazhdimisht që nga viti 1997.

Ndërsa integrohet në zhvillimin e përgjithshëm të vendit, Hong-Kongu është bërë një pjesëmarrës i rëndësishëm në qarkullimin e brendshëm dhe luan një rol kyç në lidhjen e qarkullimit të brendshëm me atë të jashtëm, shtoi ajo.

Gjatë 25 vjetëve të fundit, Ministria e Tregtisë ka punuar me autoritetet e HKSAR-it për mekanizmat e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, ka lehtësuar ndërtimin e Zonës së Madhe të Gjirit Guangdong - Hong-Kong - Makao dhe ka mbështetur pjesëmarrjen e Hong-Kongut në nismën "Një brez, një rrugë".(Artan)