foto/VCG

foto/VCG

Presidenti kinez Xi Jinping kryesoi të mërkurën pasdite mbledhjen e 26-të të Komisionit Qendror për Thellimin e Gjithanshëm të Reformës. Në këtë mbledhje u shqyrtuan dhe u miratuan “Opinionet për ndërtimin e një sistemi bazë të të dhënave për të luajtur më mirë rolin e elementeve të të dhënave”, ”Opinionet për forcimin dhe përmirësimin e ndarjeve administrative”, “Plani i punës për kryerjen e reformës pilot të vlerësimit të talenteve shkencore dhe teknologjike” dhe “Plani i punës për forcimin e mbikëqyrjes së ndërmarrjeve të platformave të pagesave në shkallë të gjerë dhe promovimin e zhvillimit të standardizuar e të shëndetshëm të pagesave dhe të teknologjisë financiare”.

Në mbledhje Xi Jinping-u theksoi se ndërtimi i sistemit të infrastrukturës së të dhënave është i lidhur me situatën e përgjithshme të zhvillimit dhe sigurisë kombëtare. Ai shtoi se është e nevojshme të ruhet siguria kombëtare e të dhënave, të mbrohet informacioni personal dhe sekretet e biznesit, të promovohet qarkullimi dhe përdorimi efikas i të dhënave, të fuqizohet ekonomia reale dhe të koordinohet promovimi i të drejtave të pronësisë të të dhënave dhe transaksionet e qarkullimit, shpërndarja e të ardhurave dhe qeverisja e sigurisë, dhe të përshpejtohet ndërtimi i një sistemi të bazuar në të dhënat. Po ashtu, sipas tij, është e nevojshme të forcohet udhëheqja e centralizuar dhe e unifikuar e Komitetit Qendror të Partisë për punën e ndarjes administrative, të bëhet planifikimi i përgjithshëm dhe të shmangen çrregullimet. Duhet të zbatohet ligji i inovacionit shkencor e teknologjik dhe ligji i kultivimit të talenteve, me qëllim stimulimin e gjallërisë së inovacionit të talenteve shkencore e teknologjike, dhe sipas llojit të veprimtarive inovative, të ndërtohet një sistem vlerësimi i talenteve shkencore e teknologjike i orientuar nga vlerat, aftësitë e kontributi në inovacion, duke i drejtuar njerëzit që t’i përdorin sa më mirë talentet e tyre dhe të arrijnë sukses. Kreu i shtetit i Kinës shtoi më tej se nevojitet të promovohet kthimi i kompanive të platformave të pagesave në shkallë të gjerë dhe të teknologjisë financiare në origjinën e tyre, të përmirësohen rregullat mbikëqyrëse të tyre, të plotësohen mangësitë institucionale, të garantohet siguria e pagesave dhe infrastruktura financiare, të parandalohen dhe zgjidhen rreziqet sistematike financiare dhe të mbështeten kompanitë e platformave të luajnë një rol më të madh në shërbim të ekonomisë reale dhe në lehtësimin e qarkullimit të dyfishtë të brendshëm dhe të jashtëm.

Në mbledhje u theksua se qysh nga Kongresi i 18-të Kombëtar i Partisë Komuniste të Kinës, krijimi dhe rregullimi i ndarjeve administrative në mbarë Kinën në përgjithësi është kryer në mënyrë të matur dhe të rregullt. Është e nevojshme të forcohet udhëheqja e centralizuar dhe e unifikuar e Komitetit Qendror mbi punën e ndarjes administrative, dhe reformat kryesore, politikat e rëndësishme dhe rregullimet e mëdha të ndarjeve administrative do të studiohen dhe vendosen nga Komiteti Qendror i PKK-së. Po ashtu, duhet forcuar studimi strategjik, sistematik dhe largpamës, të organizohet kërkimi dhe të formulohen idetë e përgjithshme të planifikimit për ndarjet administrative, të përmirësohet përcaktimi shkencor, normativ dhe efektiv i ndarjeve administrative dhe të sigurohet që vendosja dhe rregullimi i ndarjeve administrative të jenë në përputhje me strategjitë e zhvillimit kombëtar, zhvillimin ekonomik e social dhe forcimin e mbrojtjes kombëtare.

Në mbledhje u vu në dukje se, për të kryer reformën pilot të vlerësimit të talenteve shkencore dhe teknologjike, u duhet përmbajtur aftësive dhe integritetit politik, dhe duhet të kryhet vlerësimi i talenteve sipas klasifikimit të detyrave kryesore kombëtare kërkimore të marra përsipër prej tyre, kërkimit bazë, kërkimit të aplikuar e zhvillimit të teknologjisë, si edhe kërkimit lidhur me mirëqenien sociale.

Sipas mbledhjes, është e nevojshme vënia në mbikëqyrje e ndërmarrjeve të platformave të pagesave dhe aktiviteteve të tjera financiare në përputhje me ligjet dhe rregulloret, fokusimi në shërbimin ndaj ekonomisë reale, respektimi i veprimtarisë së licencuar të biznesit financiar, përmirësimi i rregullave e rregulloreve dhe parandalimi i rrezikut dhe forcimi i sistemit të kontrollit në fushën e pagesave dhe i sistemit të menaxhimit në të gjithë zinxhirin para, gjatë dhe pas ngjarjeve.

Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarë të Komisionit Qendror për Thellimin e Gjithanshëm të Reformës dhe drejtues nga departamentet përkatëse të organeve qendrore e shtetërore. (Fang Xiaoyu/Aran)