Foto:VCG

Foto:VCG

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun u bëri thirrje të hënën të gjitha vendeve që të dialogojnë dhe të luftojnë së bashku gjuhën e urrejtjes.

Zhang i tha këto në një mbledhje jozyrtare të nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në përkujtim të Ditës së 1-rë Ndërkombëtare kundër Gjuhës së Urrejtjes.

Në një rezolutë të propozuar nga Kina dhe palë të tjera, në korrik 2021 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shpalli 18 qershorin si Ditën Ndërkombëtare kundër Gjuhës së Urrejtjes.

Në fjalimin e tij, përfaqësuesi i Kinës theksoi se gjuha e urrejtjes shkatërron vlerat e përbashkëta të njerëzimit, ndikon në qëndrueshmërinë shoqërore, shkakton konflikte të dhunshme, minon paqen e sigurinë, pengon arritjen e zhvillimit të vazhdueshëm dhe dëmton seriozisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të punuar së bashku për të përballuar sfidat globale.

Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta tolerojë gjuhën e urrejtjes, tha Zhang, duke shtuar se udhëheqësit politikë dhe media kanë një përgjegjësi të veçantë për të ndaluar përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe për të kultivuar një kulturë përfshirëse të paqes.

Ai vuri në dukje se ka pasur një "pandemi informacioni" të shkaktuar nga të gjitha llojet e retorikave stigmatizuese dhe lajmeve të pasakta e të rreme mbi pandeminë e COVID-19, që ka prishur dhe dëmtuar seriozisht solidaritetin e bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë.

Duke vënë në dukje se gjuha raciste ka kontribuar në kryerjen e krimeve të urrejtjes, i dërguari kinez vërejti se është e trishtueshme kur sheh përhapjen e gjerë të ideologjive ekstremiste, si diskriminimi dhe urrejtja kundër njerëzve me prejardhje afrikane e aziatike, dhe sulme të shpeshta raciste.

Gjuha e urrejtjes ka çuar gjithashtu në një rritje të "islamofobisë", u shpreh Zhang, duke shtuar se Kina ishte një nga vendet që propozoi rezolutën që e bëri Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ta caktonte 15 marsin si Ditën Ndërkombëtare për Luftimin e Islamofobisë.