Anija e parë cisternë me të ashtuquajturin karburant të dyfishtë, me energji nga metanoli dhe e ndërtuar nga vetë Kina, u dorëzua në qytetin Guangzhou në provincën Guangdong të Kinës Jugore.

Anija me tonazh 49 900 tonë, që funksionon me një sistem me karburant të dyfishtë me metanol, mund të vihet në lëvizje me katër mënyra: karburant, hidrat karburanti, metanol dhe hidrat metanoli. Ajo ka gjithashtu një sërë pajisjesh të kursimit të energjisë, si p. sh. tuba me drejtim të përparmë dhe fletë eliminuese të vorbullave, të cilat mund të përmirësojnë efikasitetin e shtytjes, të kursejnë konsumin e energjisë dhe të zvogëlojnë kostot e funksionimit të anijes.

Testet kanë vërtetuar se anija e re mund ta ulë lëshimin e karbonit me 75 për qind, të azotit me 15 për qind dhe squfurit e grimcave me 99 për qind.

"Anijet e gjelbra janë një prirje zhvillimi në tregun e transportit detar. Tani, numri i porosive për anije me karburant të dyfishtë që kemi në dorë ka arritur në 38. Përveç karburantit të dyfishtë të metanolit, ne po ndërtojmë edhe anije që përdorin energji hibride të karburantit të dyfishtë të gazit natyror të lëngshëm dhe baterive," tha Zhou Xuhui, zëvendësmenaxheri i përgjithshëm i kompanisë së prodhimit të anijeve “Shipyard International” të Guangzhou-t.

Metanoli gjendet tashmë në mbi 100 porte në mbarë botën. Ai është një karburant me djegie të pastër, i sigurt për t'u transportuar dhe plotësisht i biodegradueshëm, që siguron një pakësim të menjëhershëm të lëshimit të CO2-shit.

Krahasuar me alternativat e ngjashme si gazi natyror i lëngshëm, metanoli është më i përshtatshëm për t'u ruajtur e transportuar dhe kushton më pak për sa i përket ndërtimit të infrastrukturës. Falë epërsive të ndjeshme të kostos dhe sigurisë, ai po kthehet me shpejtësi në një karburant të pëlqyer për transportin detar.