Pekini: Politika e ShBA-së ndaj Kinës, “mashtruese, hipokrite dhe e rrezikshme”
2022-06-20 18:55:31

foto nga VCG

Ministria e Jashtme kineze publikoi të dielën një raport me fakte të titulluar "Perceptimet e gabuara të ShBA-së për Kinën", ku me fakte dhe shifra të hollësishme ekspozohet se "sa mashtruese, hipokrite dhe e rrezikshme është politika e ShBA-së ndaj Kinës".

Raporti parashtron 21 pika në përgjigje të fjalimit të fundit të sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, ku ai përshkruan qëndrimin e administratës amerikane ndaj Kinës.

Dokumenti, që trajton një sërë temash që përfshijnë të dy vendet, tregon se si ShBA-ja u përpoq ta frenojë dhe shtypë Kinën nëpërmjet promovimit të retorikës së "kërcënimit nga Kina", duke ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe duke shpifur mbi politikat e brendshme e të jashtme të saj.

Pavarësisht pretendimeve se nuk kërkon ta pengojë Kinën që të luajë rolin e saj si një fuqi e madhe ose të ndalojë rritjen e ekonomisë së saj, ShBA-ja në fakt po përdor burimet e saj të brendshme të jashtme për të kontrolluar e shtypur Kinën, tha Ministria e Jashtme kineze.

Sipas dokumentit, Uashingtoni i ka vendosur mbi 1000 kompani kineze në lista të ndryshme sanksionesh, ka forcuar kontrollet e eksportit dhe shqyrtimet e rrepta të investimeve lidhur me teknologjitë e bioteknologjisë dhe inteligjencës artificiale, dhe ka kërkuar të ndalojë platformat kineze të mediave sociale, duke përfshirë “TikTok”-un dhe “WeChat”-in.

“ShBA-ja ka një histori të ndërhyrjes brutale në punët e brendshme të Kinës për çështje që kanë të bëjnë me interesat thelbësore të Kinës, duke përfshirë Tajvanin, Xinjiang-un, Tibetin dhe Hong-Kongun”, tha Ministria e Jashtme, duke shtuar se ShBA-ja synon të minojë si haptazi, ashtu edhe në mënyrë të fshehtë sigurinë dhe stabilitetin e Kinës, duke pranuar e përkrahur veprimtaritë separatiste.

Marrëdhëniet kino-amerikane kanë arritur në një udhëkryq të rëndësishëm, theksoi Ministria e Jashtme e Kinës, duke i kërkuar ShBA-së të ndalojë shikimin e lidhjeve dypalëshe nga prizmi i mendësisë së Luftës së Ftohtë e i lojës ku fituesi merr gjithçka, të ndjekë parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta dhe të zbatojë me veprime konkrete pesë garancitë që i ka dhënë Kinës. (Artan)