foto/CCTV

foto/CCTV

Pak ditë më parë, në sesionin e 50-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në Gjenevë, Kuba bëri një deklaratë të përbashkët në emër të afro 70 vendeve, duke kundërshtuar ndërhyrjen në punët e brendshme të Kinës me pretekstin e të drejtave të njeriut. Përveç kësaj, mbi 20 vende kanë folur në mbështetje të Kinës.

Një gjë e tillë është shfaqur shumë herë në forume ndërkombëtare si Këshilli i të Drejtave të Njeriut. Gati 100 vende janë shprehur në përkrahje të Kinës në mënyra të ndryshme, duke treguar se bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht vendet në zhvillim, kanë një gjykim të qartë për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Ato i kanë parë hipokrizinë dhe standardin e dyfishtë të ShBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore mbi problemin e të drejtave të njeriut, dhe kundërshtojnë përdorimin e këtyre të drejtave si një mjet politik për të shtypur kundërshtarët.

Vitet e fundit, në sfondin që ShBA-ja e konsideron Kinën si “konkurrenten më të madhe strategjike”, çështje të tilla si Xinjiang-u, Hong-Kong-u, Xizang-u (Tibet) ose Tajvani janë bërë një kartë e përdorur shpesh nga politikanët amerikanë dhe të vendeve të tjera të Perëndimit për të frenuar Kinën. Duke marrë si shembull Xinjiang-un, Perëndimi ka formuar një “zinxhir industrial falsifikimi”.

foto/VCG

foto/VCG

Një gënjeshtër e përsëritur një mijë herë mbetet përsëri gënjeshtër. Në mbledhjet e mëparshme të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, politika e Kinës në Xinjiang është kuptuar dhe mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë vendet islamike. Nëse nuk do të ishte e qartë se çështja e Xinjiang-ut është në thelb çështje kundër dhunës, terrorizmit e separatizmit dhe nuk ekziston i ashtuquajturi “persekutim” i myslimanëve, si mund të mbështetet Kina prej vendeve islamike? Shkrimtari britanik Tom Foday theksoi se për popujt e vendeve islamike nuk është e besueshme që ShBA-ja dhe media perëndimore flasin për të ashtuquajturat “shkelje të të drejtave të njeriut” në Xinjiang, sepse vetëm ShBA-ja dhe aleatët e saj kanë kryer seriozisht krime kundër myslimanëve.

Në maj të këtij viti, Komisionarja e Lartë për të Drejtat e Njeriut e OKB-së Michelle Bachelet bëri një vizitë në Kinë, e cila ishte “shumë e pritur” nga ShBA-ja dhe vendet e tjera perëndimore. Kjo vizitë jo vetëm nuk arriti të gjente “prova” për komentet e tyre shpifëse, por përkundrazi, i tregoi botës objektivisht arritjet e Kinës për sa u përket të drejtave të njeriut. Bachelet theksoi se “ajo kishte shkëmbime të gjera dhe të pambikëqyruara gjatë vizitës në Kinë”, gjë që goditi drejtpërdrejt pretendimet e Perëndimit. Madje shumë zyrtarë amerikanë pranuan se “Xinjiang-u nuk ka asnjë problem” dhe se sajuan gënjeshtra për të njollosur dhe shtypur Kinën.

Në prill të këtij viti, ambasadori kuban në OKB Pedro Luis Pedroso bëri një pyetje: “Një ditë, a do të miratohet një rezolutë në OKB për të pezulluar anëtarësimin e ShBA-së?” Në fakt, ky është mendimi i shumë vendeve në zhvillim. Kur ShBA-ja sulmon çështjet e të drejtave të njeriut të vendeve të tjera, bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë asaj një “pasqyrë” ku të shohë veten. Hetimi i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së për çështjen e të drejtave të njeriut në ShBA duhet të vihet në rendin e ditës sa më shpejt të jetë e mundur. (Fang Xiaoyu/Artan)