“Rimbursimi i tyre për shtrimin në spital ka arritur në mbi 90 për qind. Atyre që plotësojnë kushtet, mund t’u rimbursohen të paktën 80 për qind e shpenzimeve. Do të përpiqemi të mos e lëmë sëmundjen që të bëhet pengesë në rrugën e tyre drejt begatisë. ” Kështu tha Yang Zhengchuan, drejtori i departamentit të sigurimeve shëndetësore të qytetit Yulin.

Liang Gongxi vjen nga një familje e varfër në qytetin Yulin të provincës Guangxi të Kinës Jugperëndimore. Si baba i dy vajzave me talasemi serioze, shpenzimet mjekësore kanë qenë barra më e madhe për të. Prej vitit 2018, qyteti Yulin nisi politikën e zbutjes së të ashtuquajturës “varfëri shëndetësore”, çka i solli familjes shpresë.

“Ky lloj ilaçi kushton 2 300 juanë (rreth 332 dollarë) dhe duhet të shtrohesh tre ditë në spital për ta marrë atë. Tani ilaçi është shumë i lirë dhe kushton vetëm disa dhjetëra juanë,” tha një banor i fshatit Wanping të kontesë Minle të qytetit Yulin.

Kryetari i nderit i Shoqatës “CHINARO” të Romanisë Vicentiu Gheorghe ka vënë në dukje se “Kina zotëron rrjetin më të madh të sigurimeve shëndetësore në botë, duke përfshirë 1.36 miliardë njerëz, që përbëjnë mbi 95 për qind të popullsisë së vendit.”

Nga ana e saj, drejtorja ekzekutive e Institutit të Studimeve të Globalizimit të Shqipërisë Marsela Musabelliu ka vënë në dukje: “Politika kryesore e Kinës synon të përmirësojë vazhdimisht ‘të drejtat e zhvillimit dhe të drejtat e përparimit’ të popullit. Zhvillimi është tema e përbashkët e njerëzimit, se njerëzit mund të kenë jetesë më të mirë falë zhvillimit.”

Pas përpjekjeve të pandërprera 40-vjeçare, Kina shpalli “zhdukjen historike të varfërisë absolute” në vitin 2021.

Për këtë, Vicentiu Gheorghe shprehet: “Aksioni i Kinës për zhdukjen e varfërisë është simboli më i dukshëm i përparimit të të drejtave të njeriut. Kina ka dhënë kontribut të rëndësishëm për zhvillimin e kauzës së të drejtave të njeriut.”

Ish-drejtori i Departamentit të Çështjeve Europiane dhe Ndërkombëtare, profesor Michael Borchmann, vëren: “Siç ka përmendur sekretari i përgjithshëm i OKB-së António Guterres, në dhjetë vjetët e fundit, Kina ka dhënë kontributin më të madh për zhdukjen globale të varfërisë.”

Në fshatin Maona të qytetit Wuzhishan të provincës Hainan të Kinës Jugore ka 33 familje dhe 128 banorë. Fshati ka mjedis shumë të përshatshëm për mbjelljen e çajit gjethegjerë. Aty ka rreth 38 hektarë pemë çaji dhe çaji ka qenë burimi kryesor i të ardhurave të fshatarëve.

Disa prej tyre thonë:

“Të ardhurat e familjes sime vijnë nga mbjellja e çajit. Mund të fitojmë mbi 30 mijë juanë (rreth 4708 dollarë) çdo vit.”

“Kur u martova, kishte vetëm shtëpi prej kashte. Nuk kishte asgjë. Nuk kishte rrugë. Nuk ngopesha dot me ushqim.”

“Tani jeta është shumë mirë. Ka pasur ndryshime të mëdha.”

“Varfëria është barra më e madhe për realizimin e të drejtave të zhvillimit, ndërsa zhvillimi është masa për të zhdukur varfërinë. Kina ka shumë eksperiencë që ia vlen të mësohet, sidomos nga vendet me bazë të dobët ekonomike,” tha Marsela Musabelliu.

Sipas profesorit Michael Borchmann, jeta me dinjitet është thelbi i të drejtave të njeriut: “Por deri tani, në këtë fushë nuk është bërë përparim i madh në mbarë botën, me përjashtim të Kinës.” (Li Huailiang/Artan)