Para faktorëve të pafavorshëm të brendshëm e të jashtëm, Kina ka marrë një sërë masash të shënjeshtruara për të garantuar rritjen e tregtisë ndërkufitare.
Porti Gangtong, provincë Jiangsu,25 maj,2022(Foto:VCG)
27 departamente qeveritare kanë nxjerrë politika që fokusohen kryesisht në lehtësimin e logjistikës së tregtisë së jashtme, forcimin e mbështetjes financiare ndaj firmave që merren me tregtinë e jashtme dhe stabilizimin e zinxhirëve industrialë e të furnizimit të kësaj tregtie.
Këto masa synojnë të mbrojnë subjektet e tregut, të stabilizojnë porositë e tregjet dhe të forcojnë besimin e tyre, tha të mërkurën në një konferencë shtypi zv.ministri i Tregtisë Wang Shouwen.
Tren i mallrave Kinë-Europë(Foto:VCG)
Sipas tij, në katër muajt e parë të këtij viti vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës është rritur 7.9 %, duke arritur në 1.89 trilion dollarë amerikanë.
Por zv.ministri kinez i Tregtisë paralajmëroi se kompanitë që merren me tregtinë e jashtme do të vijojnë të ndodhen para sfidave, si problemet e logjistikës dhe rritja e ndjeshme e çmimeve të lëndëve të para. Ndërkohë, inflacioni global në rritje do të ulë shpenzimet e konsumatorëve për mallra të huaja.
Për sa i përket ndihmës financiare, që nga fundi i vitit të kaluar, Kina ka pakësuar normën e interesit të huave njëvjeçare dhe mbi pesëvjeçare, përkatësisht me 15 e 20 pikë bazë, për të ulur kostot e financimit të kompanive.
Punishte e kompanisë Beier që merret me eksportimin e makinerisë, 26 maj(Foto:VCG)
Gjithashtu, Ministria e Tregtisë do të punojë me departamentet e tjera për të forcuar shërbimet e sigurimit të kredive të eksportit ndaj kompanive që merren me tregtinë e jashtme, sidomos atyre të mesme e të vogla.(Zhang Yan/Artan)