Kina është e gatshme të luajë një rol aktiv për ta ndihmuar Sri-Lankën në trajtimin e problemit të borxhit së bashku me vende e organizata të tjera ndërkombëtare, deklaroi të mërkurën zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian, 8 qershor, Pekin(Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Zëdhënësi i diplomacisë kineze Zhao Lijian, 8 qershor, Pekin(Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës)

Ditët e fundit, presidenti i Sri-Lankës Gotabaya Rajapaksa u shpreh në një intervistë që “duket sikur Kina po e zhvendos fokusin e vet strategjik në Azinë Juglindore e Afrikë” dhe se “vendet e Azisë Jugore në vëshirësi financiare tani nuk tërheqin të njëjtën vëmendje të Pekinit si në të kaluarën”.

Në përgjigje ndaj këtyre deklaratave, Zhao tha se, pasi qeveria e Sri-Lankës deklaroi pezullimin e shlyerjes së borxhit të huaj, institucionet financiare kineze ndërmorën nismën për t’u konsultuar me Sri-Lankën dhe shprehën gatishmërinë e tyre për ta trajtuar si duhet çështjen e bonove të lidhura me Kinën që u kishte ardhur afati i maturimit, si dhe për ta ndihmuar Sri-Lankën të zgjidhte vështirësitë.

Kina i bën thirrje Sri-Lankës të mbrojë të drejtat e ligjshme të partnerëve investues të huaj dhe të garantojë funksionimin e qëndrueshëm të tregut të brendshëm, shtoi zëdhënësi.

Sipas tij, Kina, si një fqinje dhe mike tradicionale, i ka ndjekur me vëmendje vështirësitë dhe sfidat e Sri-Lankës dhe ka dhënë ndihmë brenda mundësive të saj për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të këtij vendi.

Zhao Lijiang bëri të ditur se Kina ka ofruar disa kontingjente ndihme, duke përfshirë 74.9 milionë dollarë amerikanë ndihma humanitare.

Ai shtoi se Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e Azisë Jugore. “Historia ka treguar se Kina ka qenë gjithmonë bashkë me vendet e Azisë Jugore përballë fatkeqësive natyrore si tërmetet e cunamet, si edhe sfidave globale, si kriza financiare dhe pandemia e COVID-19”, tha zëdhënësi.

Ai shtoi që, para situatës së tanishme, Kina do të punojë me vendet përkatëse për të përballuar rreziqet e sfidat, për të ndërtuar me cilësi të lartë “Një brez, një rrugë” dhe për të ruajtur sigurinë, qëndrueshmërinë, bashkëpunimin e zhvillimin e këtij rajoni, duke u sjellë popujve të tij më shumë përfitime.(Zhang Yan/Artan)