Të hënën u hap në Los Anxhelos Samiti i Amerikave i organizuar nga ShBA-ja. Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të ftonin liderët e Kubës, Venezuelës, Nikaraguas dhe disa vendeve të tjera për të marrë pjesë në këtë veprimtari, gjë që shkaktoi kritika ose bojkotim nga shumë vende amerikane, si Meksika, Bolivia, Hondurasi dhe Guatemala. Presidenti meksikan Andres Manuel Lopez Obrador tha të hënën se ai nuk do të marrë pjesë në Samitin e Amerikave, sepse "jo të gjitha vendet e rajonit janë të ftuara". 14 vendet e Bashkësisë së Karaibeve publikuan një deklaratë të përbashkët, ku shpallën bojkotimin kolektivisht të samitit.

ShBA-ja e ka konsideruar prej kohësh Amerikën Latine si "oborrin e pasmë" të vet dhe i ka detyruar vendet e Amerikës Latine të mbështeten te ajo përmes ndërhyrjeve të fuqishme, detyrimit dhe nxitjes. Kjo është e ashtuquajtura Doktrina "Monroe". Edhe pse në vitin 2013 sekretari i atëhershëm amerikan i Shtetit, John Kerry, deklaroi se “epoka e Doktrinës ‘Monroe’ ka përfunduar”, Uashingtoni nuk heq dorë nga kontrolli dhe ndërhyrja në vendet e Amerikës Latine.

Para Samitit të Amerikave, shumë vende të Amerikës Latine shprehën publikisht pakënaqësinë e tyre për sjelljen dominuese të ShBA-së, duke treguar se ato nuk janë më subjekt i trysnisë amerikane. Presidenti i Nikaraguas Daniel Ortega ka vënë në dukje: "Sot ata thonë se ne jemi oborri i pasmë i shtëpisë, nesër thonë se jemi oborri i parmë, por për ta ne jemi vetëm një oborr ku ata hedhin plehrat." Ambasadori kuban në Kinë Carlos Miguel Pereira tha se Shtetet e Bashkuara e shohin veten si "menaxher" i Amerikave, "por sot kjo nuk funksionon më". (Fang Xiaoyu/Artan)