Foto:VCG
Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, dhe ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Dendias dërguan të dielën mesazhe të ndërsjella urimi për 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.
Wang Yi u shpreh që gjatë 50 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, të dyja palët, me miqësi të sinqertë dhe largpamësi strategjike, janë bashkuar për të përballuar ndryshimet në situatën ndërkombëtare, për të konsoliduar vazhdimisht besimin e ndërsjellë politik e për të forcuar bashkëpunimin me përfitime reciproke. Të dy vendet kanë nxjerrë mësime prej qytetërimeve të njëri-tjetrit, kanë ruajtur barazinë e drejtësinë ndërkombëtare dhe kanë luftuar kundër epidemisë së COVID-19, duke pasur arritje të suksesshme.
“Jam i gatshëm të përpiqem bashkë me ministrin Dendias për të zbatuar siç duhet konsensusin mes liderëve shtetërorë, për të thelluar vazhdimisht bashkëpunimin mes Ministrive të Jashtme dhe për të nxitur pandërprerë zhvillimin më të madh të partneritetit të gjithanshëm strategjik mes Kinës dhe Greqisë,” tha Wang Yi.
Dendias u shpreh nga ana e tij që Greqia dhe Kina ngulin këmbë në respektin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke krijuar lidhje dypalëshe me përfitime të përbashkëta.
“Unë shpresoj që të dy vendet do të përpiqen bashkërisht për të zgjeruar pandërprerë bashkëpunimin dypalësh dhe për të dhënë më shumë kontribut për paqen dhe harmoninë botërore,” theksoi Dendias. (Jiang Lei)