foto/VCG

foto/VCG

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës Xi Jinping kryesoi një mbledhje të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së për të diskutuar një rregullore mbi punën e konsultimit politik partiak.

Konsultimi politik është një pjesë e rëndësishme e sistemit të bashkëpunimit shumëpartiak dhe konsultimit politik nën udhëheqjen e PKK-së, dhe përbën një formë të rëndësishme të demokracisë konsultative socialiste dhe një mjet të rëndësishëm për mbledhjen e mençurisë, formimin e konsensusit dhe nxitjen e vendimmarrjes shkencore e demokratike, thuhet në një deklaratë të publikuar pas mbledhjes.

Sipas deklaratës, hartimi i rregullores ka një rëndësi të madhe për forcimin e udhëheqjes së PKK-së mbi konsultimet politike, përmirësimin e sistemit të partive politike të Kinës dhe zhvillimin e mëtejshëm të frontit të bashkuar patriotik.

Në mbledhje u bë thirrje për arritjen e konsensusit për çështjet kryesore nëpërmjet konsultimit politik, në mënyrë që të bashkohen më shumë forca për zhvillimin e Kinës.

Sistemi i bashkëpunimit shumëpartiak dhe konsultimit politik nën udhëheqjen e PKK-së është një element bazë i kuadrit politik të Kinës, sipas një libri të bardhë të titulluar "Sistemi i partive politike i Kinës: Bashkëpunimi dhe konsultimi" dhe të publikuar nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës vjet.

Përveç PKK-së, ka edhe tetë parti të tjera politike: Komiteti Revolucionar i Kuomintang-ut Kinez, Lidhja Demokratike e Kinës, Shoqata Kombëtare Demokratike e Ndërtimit të Kinës, Shoqata për Promovimin e Demokracisë e Kinës, Partia Demokratike e Fshatarëve dhe Punëtorëve Kinezë, Partia “Zhi Gong” e Kinës, Shoqëria “Jiusan” dhe Lidhja e Vetëqeverisjes Demokratike e Tajvanit. Sistemi përfshin edhe individë të shquar pa lidhje me ndonjë nga partitë politike.

Konsultimi është një formë e rëndësishme e demokracisë në të cilën PKK-ja dhe partitë e tjera politike, mbi bazën e qëllimeve të përbashkëta politike, kryejnë konsultime të drejtpërdrejta për politikat dhe çështjet kryesore shtetërore përpara vendimmarrjes dhe gjatë zbatimit të politikave, thuhet në librin e bardhë, duke shtuar se në konsultim marrin pjesë edhe persona pa parti.

Konferenca Konsultative Politike e Popullit Kinez është një platformë dhe organ i rëndësishëm i specializuar për demokracinë konsultative socialiste dhe një përbërës kyç i sistemit të qeverisjes shtetërore. (Fang Xiaoyu/Artan)