Foto:VCG

Foto:VCG

Roveri kinez në Mars, Zhurong, është vendosur në gjendje të fjetur duke pritur fundin e një stuhie pluhuri në sipërfaqen e planetit të kuq, bëri të ditur Administrata Kombëtare e Hapësirës së Kinës, citon “Xinhua”.

Imazhet e fundit të marra nga kamerat në bordin e modulit orbital kinez në Mars Tianwen-1 tregojnë një stuhi pluhuri që kalon mbi zonën e patrulluimit të Zhurong.

Shkencëtarët i krahasuan ato me fotot e bëra në dy muajt e fundit dhe analizuan të dhënat e fundit të energjisë nga krahët diellorë të roverit, duke treguar se Zhurong po përballet me një stuhi të fortë pluhuri marsian. Sipas agjencisë, zona e patrullimit Zhurong ka hyrë në sezonin e dimrit, gjatë të cilit temperaturat e ditës mund të bien nën -20°C, ndërsa temperaturat e natës mund të bien nën -100°C. Nga mesi i korrikut do të ketë një rënie të mëtejshme.

Për të përballuar stuhitë e pluhurit dhe sfidat e shkaktuara nga temperaturat e ulëta, roveri kinez hyri në modalitetin e fjetjes të mërkurën. Aktivizimi i tij pritet të bëhet në dhjetor, kur pluhuri do të pastrohet dhe Marsi do të hyjë në stinën e pranverës.

Shkencëtarët do të vazhdojnë të përdorin modulin orbital Tianwen-1 për të monitoruar kushtet e motit në hemisferën jugore të planetit të kuq. (Irma)