Foto nga VCG

Ditët e fundit, Shkolla e Zhvillimit Ndërkombëtar dhe e Bujqësisë Globale e Universitetit të Bujqësisë të Kinës organizoi në internet Simpoziumin për Zhvillimin e Bujqësisë e të Fshatrave Kinë-ShBA. Pjesëmarrësit kinezë e amerikanë në simpozium u shprehën se të dy vendet duhet të forcojnë bashkëpunimin bujqësor. Kjo është jo vetëm në favor të të dy palëve, por edhe do të japë kontribut për sigurinë ushqimore botërore.

Sipas të dhënave, vitin e kaluar vëllimi i tregtisë së produkteve bujqësore ndërmjet Kinës e ShBA-së arriti në 46.4 miliardë dollarë, duke shënuar rekord historik. Lidhur me këtë, ish-guvernatorja e shtetit amerikan të Ajovës Patty Judge u shpreh se forcimi i tregtisë e i bashkëpunimit bujqësor amerikano-kinez ka rëndësi të madhe për bujqësinë vendore dhe të dy palët mund të kenë përfitime të përbashkëta nga ky bashkëpunim.

“Për fermerët e shtetit të Ajovës, tregu kinez është shumë i rëndësishëm. Çdo vit rreth 1/3 e misrit amerikan eksportohet, 15 - 20 % e të cilit prodhohet në Ajova. Ky është shkaku pse tregu kinez është kaq i rëndësishëm për ne. Njëkohësisht, importi nga Kina i misrit e i fasules amerikane do të garantojë sigurinë ushqimore të Kinës. Ky bashkëpunim mund t’u sjellë të dy palëve përfitime,” tha Patty Judge.

Në simpoziumin bujqësor të nivelit të lartë Kinë-ShBA të zhvilluar muajin e kaluar, ambasadori i Kinës në ShBA Qin Gang u shpreh se nxitja e bashkëpunimit bujqësor kino-amerikan mund të garantojë sigurinë ushqimore të popullit kinez, të shtojë të ardhurat e fermerëve amerikanë dhe të pakësojë paqëndrueshmërinë e ofertës ushqimore globale. (Fani)