Foto nga VCG

Sipas të dhënave të publikuara të enjten nga Ministria e Tregtisë e Kinës, në katër muajt e parë të këtij viti, Kina përdori 478 miliardë e 610 milionë juanë (rreth 70.5 miliardë dollarë) investime të huaja, 20.5 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vjetshme. Në sfondin e epidemisë e të gjendjes së paqëndrueshme ndërkombëtare, këto shifra tregojnë se Kina vijon të jetë vend tërheqës për investime të huaja.

Nga të dhënat e Ministrisë së Tregtisë del se në janar-prill, investimet e huaja të Koresë së Jugut, të ShBA-së dhe të Gjermanisë në Kinë u rritën përkatësisht 76.3%, 53.2% dhe 80.4% krahasuar me katërmujorin e parë të vitit të kaluar. Njëkohësisht, investimet e huaja në sektorin kinez të teknologjisë së lartë u shtuan 45.6 %, 20.5 pikë përqindjeje më e lartë se rritja mesatare. Kjo tregon forcën tërheqëse të sektorit kinez të teknologjisë së lartë.

Për shumë vjet me radhë, Kina ka zgjeruar pandërprerë hapjen me botën e jashtme. Veçanërisht zbatimi i “Ligjit të investimeve të huaja” dhe masat e tjera në këtë fushë kanë forcuar besimin e biznesmenëve të huaj te tregu kinez. Sipas “Raportit mbi mjedisin e biznesit të Kinës për vitin 2022” të publikuar në mars nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Kinë, Kina është ende një nga tre destinacionet kryesore të investimeve globale të përzgjedhura nga 60 % e kompanive të botës, dhe 66 % e kompanive planifikojnë të shtojnë investimet në Kinë këtë vit.

“Dera e hapur e Kinës nuk do të mbyllet, por do të hapet më tej.” Ky është premtimi i bërë nga Kina për botën. Me zbatimin e marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP), Kina do të zgjerojë më tej hapjen e tregut në fushat e tregtisë së shërbimeve e të investimeve, duke u sjellë kompanive të huaja më shumë mundësi. (Fani)