foto/VCG

foto/VCG

Kina po shqyrton politika të reja për të mbështetur rritjen ekonomike dhe do të bëjë rregullime të mëtejshme kur të jetë nevoja, tha një zyrtar i lartë.

"Ka hapësirë të mjaftueshme për politikat fiskale, monetare dhe politika të tjera dhe ne kemi mjete të ndryshme politikash," u shpreh në një konferencë për shtypin të enjten Han Wenxiu, zyrtar i Komitetit Qendror për Çështjet Financiare dhe Ekonomike.

Është një detyrë e vështirë për të gjitha departamentet qeveritare që të luftojnë kundër epidemisë dhe të stabilizojnë ekonominë në të njëjtën kohë, theksuan zyrtarët në konferencën e shtypit në përgjigje të pyetjeve mbi zhvillimin ekonomik të Kinës, duke vënë në dukje se të gjitha masat mbështetëse duhet të zbatohen deri në fund të qershorit.

"Ne kemi përvojë të pasur në përballimin e presionit të rënies të ekonomisë dhe nuk do të ngurrojmë të ndërmarrim hapa," tha Han.

Ai bëri thirrje gjithashtu për reforma dhe për të shfrytëzuar potencialin e kërkesës së brendshme, si forcimi i ndërtimit të infrastrukturës, kryerja e investimeve efektive dhe rritja e konsumit.

"Ekonomia kineze është në një moment kritik në tejkalimin e vështirësive dhe problemet janë dhimbjet e rritjes në procesin e zhvillimit. Për sa kohë që forcojmë besimin dhe përballemi me sfidat, ne do të jemi në gjendje t'i kthejmë këto sfida në mundësi dhe kjo është logjika bazë e zhvillimit ekonomik të Kinës," theksoi Han.

Chen Yulu, zëvendësguvernator i Bankës Popullore të Kinës, banka qendrore kineze, bëri të ditur që, për të zbutur ndikimin e epidemisë, ata kanë ulur raportin e rezervës së detyruar për ta mbajtur likuiditetin në një nivel të mjaftueshëm, ka ulur kostot e financimit të subjekteve të tregut dhe kanë zbatuar instrumente monetare strukturore.

Kina ka krijuar një strukturë rihuadhënieje me vlerë 200 miliardë juanë (29.72 miliardë dollarë) për të nxitur risitë tekniko-shkencore dhe ka zbatuar një kufi të rihuadhënies prej 40 miliardë juanësh për kujdesin e gjithanshëm ndaj të moshuarve, tha Chen.

Deri në fund të marsit, banka qendrore emetoi 138.6 miliardë juanë fonde përmes një mjeti mbështetës për pakësimin e karbonit, shtoi ai.

Sipas tij, banka qendrore do t’i japë më shumë rëndësi rritjes së qëndrueshme, do të planifikojë në mënyrë aktive mjete të reja politikash, do të vazhdojë të ulë kostot e financimit dhe do të rritë mbështetjen financiare për ekonominë reale. (Artan)