foto/VCG

foto/VCG

Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm kinez Wang Yi theksoi të enjten se Kina dhe Danimarka kanë synuar interesa të përbashkët mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe i kanë trajtuar siç duhet dallimet, duke bërë që marrëdhëniet dypalëshe të ruajnë prirjen e zhvillimit të shëndetshëm.

Wang i tha këto gjatë një bisede telefonike me ministrin danez të Punëve të Jashtme Jeppe Kofod, i cili ra dakord me pikëpamjet e homologut të tij kinez për gjendjen e marrëdhënieve të dy vendeve, sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Kofod u shpreh se Danimarka i kushton rëndësi të madhe partneritetit të gjithanshëm strategjik me Kinën dhe shpreson në nxitjen e negociatave mbi Programin e Përbashkët të Gjelbër Kinë-Danimarkë dhe arritjen e konsensusit në kohën e duhur.

Wang tha se Kina është e gatshme të punojë me Danimarkën për të promovuar marrëdhëniet e shëndetshme dhe të qëndrueshme dypalëshe. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për të nxitur sa më parë një marrëveshjeje mbi Programin e Përbashkët të Gjelbër Kinë-Danimarkë për të zgjeruar perspektivat për bashkëpunimin e ardhshëm.

Të dyja palët shkëmbyen mendime edhe për konfliktin Rusi-Ukrainë.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës shtjelloi pozicionin e vendit të vet dhe shprehu shpresën se Kina do të ushtrojë ndikimin e saj për të parandaluar zgjatjen e konfliktit dhe një fatkeqësi humanitare.

Ai vuri në dukje se Danimarka është e gatshme të punojë me Kinën për të vazhduar përpjekjet për një armëpushim dhe për të promovuar bisedimet e paqes.

Sipas kryediplomatit kinez, në çështjet ndërkombëtare ose rajonale, Kina qëndron gjithmonë në anën e paqes, fakteve e të vërtetës dhe arrin në përfundime në mënyrë të pavarur, bazuar në natyrën e secilit rast.

Ai vuri në dukje se presidenti kinez Xi Jinping ka bërë disa shpjegime të rëndësishme dhe autoritative për pozicionin e Kinës.

Palët e interesuara duhet të tregojnë vullnetin e tyre politik për ta zgjidhur çështjen dhe të kërkojnë një zgjidhje të mbështetur në marrjen parasysh të shqetësimeve të ligjshme të njëri-tjetrit, tha Wang, duke shtuar se edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të krijojë kushtet për negociatat e drejtpërdrejta ruso-ukrainase dhe hapësirën për një zgjidhje politike. (Artan)