Foto: VCG

Foto: VCG

Të martën në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin u mbajt ceremonia e kremtimit të 100-vjetorit të themelimit të Lidhjes së Rinisë Komuniste të Kinës. Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së, presidenti dhe kryetari i Komisionit Qendror Ushtarak të Kinës Xi Jinping mori pjesë në këtë ceremoni dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm.

Së pari, në emër të Komitetit Qendror të Partisë, Xi Jinping-u u shprehu urime të ngrohta dhe përshëndetje të sinqerta të gjithë anëtarëve, organizatave dhe kuadrove të Lidhjes së Rinisë Komuniste në të gjitha nivelet. Xi vuri në dukje se fatet e të rinjve kanë qenë gjithmonë të lidhura ngushtë me njëri-tjetrin. Gjatë 100 vjetëve të fundit, nën udhëheqjen e fortë të Partisë, Lidhja e Rinisë Komuniste nuk e ka harruar kurrë aspiratën e vet origjinale, e ka ruajtur me vendosmëri misionin e saj dhe ka qenë në krye të rinisë, duke organizuar e drejtuar brezat e të rinjve për të forcuar bindjet e tyre dhe për të ndjekur nga afër Partinë.

"Epokat janë të ndryshme, por rinia është e njëjtë. Gjatë 100 vjetëve, Lidhja e Rinisë Komuniste e Kinës ka qenë gjithmonë e bashkuar me Partinë Komuniste të Kinës dhe e ka drejtuar rininë të ruajë besnikërinë në çështjet e Partisë dhe të popullit, të përhapë frymën rinore në rrugën e përtëritjes kombëtare dhe të gdhendë lavdinë e vet në analet e historisë. Historia dhe praktika kanë vërtetuar plotësisht se Lidhja e Rinisë Komuniste e Kinës është e denjë për të qenë pararojë e lëvizjes rinore kineze, ndihmëse besnike e Partisë dhe një ushtri rezervë e besueshme," tha kreu i shtetit kinez.

Foto: VCG

Foto: VCG

Xi theksoi më tej se udhëtimi 100-vjeçar ka hedhur themelet që Lidhja e Rinisë Komuniste të ndjekë udhëheqjen e Partisë, t’u qëndrojë besnike idealeve, të përpiqet për përtëritjen kombëtare dhe të jetë burimi i gjallërisë së rrënjosur te të rinjtë. Arritja e Ëndrrës Kineze është një stafetë historike dhe rinia bashkëkohore duhet të përpiqet të jetë e para në garën për të realizuar përtëritjen kombëtare.

Xi vuri në dukje që, në rrugën e zhvillimit të ri, si të bashkohen, organizohen dhe mobilizohen më mirë të rinjtë që të përpiqen për realizimin e Objektivit të Njëqindvjetorit të dytë dhe realizimin e Ëndrrës Kineze për përtëritjen e madhe të kombit kinez që është një pyetje madhore së cilës duhet t’i jepet përgjigje prej lëvizjes dhe punës së rinisë kineze në epokën e re. Lidhja e Rinisë Komuniste e Kinës duhet të forcojë aftësinë e udhëheqjes, të organizimit e të shërbimit, dhe të udhëheqë anëtarët e vet të bëhen të rinj të epokës së re që kanë ëndrra e përgjegjësi, që janë të gatshëm të bëjnë përpjekje e t’i përdorin energjitë e aftësitë rinore për të nxitur përtëritjen kombëtare dhe me mençurinë e djersën e tyre të krijojnë një Kinë më të bukur.

Foto: VCG

Foto: VCG

Xi shprehu shpresën e vet në katër drejtime për Lidhjen e Rinisë Komuniste. “Shpresoj se Lidhja e Rinisë Komuniste do ta ndihmojë Partinë të edukojë njerëzit dhe të bëhet një shkollë politike që udhëheq përparimin ideologjik të të rinjve kinezë; do të zbatojë detyrat dhe do të bëhet forcë pararojë në organizimin e rinisë kineze; do të lidhet ngushtë me të rinjtë dhe të bëhet urë e fortë që lidh Partinë me rininë dhe do të ketë guximin për vetërevolucion dhe për të qenë gjithmonë një organizatë e përparuar që ndjek nga afër Partinë dhe është në pararojë të kohërave,” tha Xi Jinping-u në fjalimin e vet në ceremoninë për 100-vjetorin e Lidhjes së Rinisë Komuniste të Kinës. (Çang Çuo)