foto/VCG

foto/VCG

Xi Jinping-u u zgjodh delegat në Kongresin e 20-të Kombëtar të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) në kongresin rajonal të Partisë Komuniste të Kinës të Guangxi-së, me një votim unanim të premten.

Xi u propozua nga Komiteti Qendror i PKK-së si kandidat për delegat në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së, që planifikohet të mbahet në gjysmën e dytë të vitit 2022, dhe kandidatura e tij u hodh për votim në njësinë zgjedhore të Guangxi-së.

Gjatë Kongresit të PKK-së të Rajonit Autonom Guangxi-Zhuang, i cili u mbajt të enjten dhe të premten në kryeqendrën e këtij rajoni Nanning, delegatët rajonalë thanë se zgjedhja e Xi Jinping-ut përfaqëson aspiratën e përbashkët të më shumë se 2.5 milionë anëtarëve e të mbi 150 000 organizatave-bazë të Partisë në rajon.

Gjithsej 2300 delegatë në Kongresin e 20-të Kombëtar të PKK-së do të zgjidhen nga 38 njësi zgjedhore në tërë Kinën, sipas një deklarate nga Departamenti i Organizimit i Komitetit Qendror të PKK-së në nëntor 2021. Zgjedhjet do të përfundojnë deri në fund të qershorit.

Kongresi do të zhvillohet në një moment të rëndësishëm kur Partia Komuniste e Kinës ka nisur një rrugëtim të ri për të ndërtuar një vend socialist modern në të gjitha aspektet dhe për të realizuar Objektivin e 2-të të Njëqindvjetorit, thuhet në deklaratë.

Partia Komuniste e Kinës zakonisht e mbledh kongresin e saj kombëtar çdo pesë vjet. Kongresi i 19-të Kombëtar i PKK-së u mbajt në Pekin nga 18 deri më 24 tetor 2017. (Fang Xiaoyu/Artan)