Ditët e fundit, presidenti i Kinës Xi Jinping iu përgjigj letrës së nxënëseve të shkollës "Francis Holland" në Britani lidhur me ndryshimin e klimës.

Xi vuri në dukje se Toka është një familje e madhe dhe njerëzimi është një bashkësi. Ndryshimi i klimës duhet të përballohet nga i gjithë njerëzimi dhe të gjithë njerëzit duhet të bashkëpunojnë.

"Qysh nga lashtësia, kombi kinez e ka respektuar natyrën. Unë i kushtoj rëndësi të madhe ndryshimit të klimës dhe e theksoj gjithmonë se ujërat e kthjellëta dhe malet e gjelbra janë si ari dhe argjendi. Ky koncept është rrënjosur thellë te të gjithë kinezët. Ne i kërkojmë tërë shoqërisë kineze të mbrojë si sytë e vet natyrën dhe mjedisin ekologjik, si dhe nxitim aktivisht zhvillimin e gjelbër dhe ndërtimin e një Kine të bukur. Kina po ndërmerr veprime përballë ndryshimit të klimës, duke arritur rezultate të spikatura, dhe do të arrijë edhe më shumë rezultate në të ardhmen," theksoi Xi.

Presidenti kinez shprehet më tej në letrën e vet se shkollat e niveleve të ndryshme në Kinë i kushtojnë rëndësi edukimit të qytetërimit ekologjik. Nxënësit e shkollave fillore kineze fillojnë nga gjërat e vogla, krijojnë shprehitë e mira të kursimit të energjisë e të mbrojtjes së mjedisit dhe mësojnë të bëjnë një stil jetese të gjelbër dhe me karbon të ulët. "Ju mirëpres të vizitoni Kinën, për të parë centralet më të mëdha të energjisë së erës dhe diellore në botë, pyjet artificiale me sipërfaqen më të gjerë dhe parqet kombëtare piktoreske, si edhe për të komunikuar me nxënësit e shkollave fillore në Kinë, për ta rrënjosur thellë në zemër konceptin e zhvillimit të gjelbër dhe për t'u bërë ndërtuese aktive të një shtëpie të bukur për njerëzimin kur të rriteni," shkruan ai në letër.

Shkolla "Francis Holland", që ndodhet në Londër, është një shkollë ndërkombëtare për vajza. Kjo shkollë zhvillon aktivisht shkëmbime me vendet e ndryshme dhe i inkurajon nxënëset e saj t'i kushtojnë rëndësi mbrojtjes së mjedisit dhe ndryshimit klimatik. Ditët e fundit, nxënëset e klasës së katërt të kësaj shkollës i dërguan një letër të përbashkët presidentit Xi Jinping, duke shprehur shqetësimin e tyre për ndryshimin e klimës. (Çang Çuo)